Mançester Siti u kthye në krye të renditjes së Premier Ligës pas suksesit ndaj Totenhemit. Skuadra e Pep Guardiolës përballoi presionin pas eliminimit nga Championsi.
Ishte një ndeshje që duhej fituar, dhe kaq.
Nuk vlente mënyra sesi, por pas eliminimit nga Championsi, Mançester Sitit I mbetet vetëm një trofe I madh për të fituar, titulli në Angli, dhe skuadra e Pep Guardiolës nuk gaboi.
Mundi minimalisht me një gol Totenhemin, pikërisht kundërshtarin që e nxorri jashtë Ligës së Kampionëve, duke realizuar një hakmarrje sado të vogël, dhe duke u ngjitur në krye të renditjes së kampionatit.
Fil Foden u bë lojtari më I ri që shënon për Sitin në Premier Ligë, duke qenë i vitlindjes 2000, dhe goli i minutës së katërt doli i mjaftueshëm.
Jo se ndeshja nuk pati çaste emocionuese, madje vendasit i bënë tifozët të vuanin shumë.
Totenhemi nuk u dorëzua, pavarësisht epërsisë së Sitit në zotërimin e topit, duke pasur disa raste për të barazuar.
Son, Dajer apo Lukas Moura patën mundësi të shënonin, por Guardiola u shpëtua nga portieri i tij, braziliani i shkëlqyer Ederson.
Kampionët e Anglisë gjithashtu kishin shanset e tyre, por nervozizmi nuk i lejoi të ishin të qartë e të saktë para portës së Jorisit.
Tensioni u ndje që nga fillimi deri në fund, dhe ishte i natyrshëm për shkak të dështimit të madh në Champions, ku Siti cilësohej favorit.
Të dyja skuadrat patën pretendime për gjyqtarin, duke kërkuar penallti.
Në pjesën e parë ishte radha e vendasit, ndërsa pas pushimit Spërsat protestuan fort, por pa dobi.
Me këtë fitore, Mançester Siti ka 86 pikë ndaj 85 të Liverpulit, tashmë me ndeshje të barabarta, dhe mban kreun e Premier Ligës./abcnews.al