Të shtunën dhe të dielën deri në ora 19.00, në Maqedoninë e Veriut është në fuqi heshtja zgjedhore. Të dielën mbahen për herë të gjashtë në vend, zgjedhjet presidenciale por dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në tri Komunat Ohër, Dibër dhe Novosellë. Zgjedhjet do të monitorohen nga vëzhgues vendorë e të huaj.
Zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish vendor: nga delegacione të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – ODIHR. Kjo e fundit për zgjedhjet e gjashta presidenciale ka akredituar edhe numrin më të madh të vëzhguesve – gjithsej 279. Tre profesorët me përvojë pune me studentët, gjatë tri javëve të kaluara treguan aftësitë oratorike edhe para qytetarëve, për të kërkuar votën e tyre. Me agjendë të ngjeshur… takime me qytetarët… këngëtarë dhe aktorë nëpër tubime… debate televizive… – në këtë mënyrë kaloi fushata për rrethin e parë zgjedhor. Programet zgjedhore tashmë u prezantuan, kurse premtimet për të nesërme më të mirë – ishin përsëritur çdo ditë. Për dallim nga tubimet e VMRO-DPMNE-së, koalicioni qeveritar kishte organizuar edhe tribuna ku edhe qytetarët ishin pjesëmarrës…Blerim Reka me vetëpromovim ndryshe, me video joformale në rrjetet sociale….
Reka për Republikën është motoja e kandidatit të vetëm shqiptar, i cili premton një shtet multietnik të së drejtës. “Drejtësi për Maqedoninë” është thirrja e kandidates opozitare Gordana Siljanovska për tu bërë gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut, kurse ‘Bashkë përpara” motoja e kandidatit të koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski, i cili kërkon përkrahje me theks të integrimeve euroatlantike. Mbi 1.8 milion votues janë të regjistruar në listën zgjedhore. Dy kandidatë me më shumë vota do të përballen në rrethin e dytë më 5 Maj. Presidenti i ri i vendit do të zgjidhet fituesi i rrethit të dytë, me kusht që në votime të dalin 40% e elektoratit./abcnews.al