Pavarësisht se Covid është drejtë fundit, pasojat që ka lënë në shëndet janë të shumta. Mjeku Dritan Dushaj, koordinator i Departamentit të Urgjencës në Spitalin Hygeia, thotë se shumë pacientë gjatë periudhës së karantinës kanë neglizhuar vizitat mjekësore.
Kjo bën që të paraqiten në urgjencë në gjendje më të rënduar. Por ka edhe pacientë të cilët paraqiten në urgjencë për pasojat post covid.
“Periudha e pandemisë ka ndikuar shumë në jetën e gjithësecilit, dhe kjo manifestohet edhe tek pacientët që vijnë. Ka pacientë që kanë lënë veten pas dore, duke pasur frikën e të shkuarit në spital. Fatkeqësisht gjejmë shumë patologji ose shumë sëmundje që janë të avancuara. Sigurisht edhe vetë covid ka prekur pacientët kronikë që vijnë për tu diagnostikuar ose për të vazhduar ndjekjen e sëmundjeve.”
Në urgjencën e spitalit Hygeia, ofrohet shërbim i specializuar dhe i shpejtë për të gjithë problematikat. Mjeku tregon se si duhet të veproni për të marrë këtë shërbim.
“Komunikimi është me një Green Line, me një numër që është në dispozicion 24/7, numri 04 23 23 000. Gjithmonë aty është një person që u përgjigjet personave që kërkojnë ndihmë pranë urgjencës. Më pas e lidh me mjekun përkatës, i cili bën triazhin në telefon, dhe në varësi të triazhit që bën mjeku kompozohet edhe ambulanca që shkon për tu përgjigjur pranë personave që kërkojnë ndihmë. Është shumë e rëndësishme që të komunikohet me mjekun, pasi përveç se bën gati ambulancën në kohë rekord, duke pasur portabël pajisjet monitorët, çantat me medikamente, respiratorët, ne ndërkohë japim edhe instruksione në telefon. “
Synimi i këtij Departamenti është ofrimi i shërbimeve mjekësore me cilësi të lartë dhe profesionalizëm, transporti i shpejtë dhe i sigurt i pacientëve, minimizimin në maksimum të kohës së pritjes në Urgjencë, si dhe rekuperimin sa më të shpejte të pacientëve nga pikëpamja mjekësore. /abcnews.al