Ndalohen dy agjentë arabë në Stamboll

schedule21:30 - 19 Prill, 2019

schedule 21:30 - 19 Prill, 2019

Shërbimet sekrete në Turqi kanë arrestuar dy agjentë arabë që vepronin në Stamboll prej disa muajsh. Autoritetet dyshojnë se prania e tyre ka lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi.Autoritetet në Turqi kanë arrestuar dy persona që po kryenin aktivitete spiunazhi për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe. Një burim pranë qeverisë turke ka deklaruar se dy personat po hetohen edhe nëse kanë lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi’. Një nga dy të arrestuarit kishte mbërritur në Turqi në tetor 2018, pak ditë pasi Kashogi’ ishte vrarë në konsullatën saudite në Stamboll. Ndërsa personi i dytë kishte mbërritur pak më vonë për të ndihmuar kolegun e tij në operacionet e fshehta.

Burimi zyrtar, që ka insistuar të ruajë anonimatin, ka deklaruar se një nga dy personat po mbahej nën mbikëqyrje prej 6 muajsh dhe ka gjasa që gjatë kësaj kohe ai dhe bashkëpunëtori të kenë mbledhur informacione për qytetarët arabë, përfshirë disidentët politikë, që jetojnë në Turqi.

Ndërkohë, një gjykatë turke vendosi të premten që dy të dyshuarit të mbahen në ndalim, nën akuzën e spiunazhit ndërkombëtar. Kashogi’, një analist i “Washington Post” dhe kritik i regjimit të princit Mohamed bin Salman, u vra në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor nga një skuadër agjentësh sauditë./abcnews.al