Do të tërhiqet nga Eurovisioni? Azerbajxhani reagon pas akuzave për manipulim votash

schedule20:48 - 16 Maj, 2022

schedule 20:48 - 16 Maj, 2022

Gjatë votimit në finalen e Eurovisionit, transmetuesit e tre vendeve nuk dolën live për të dhënë pikët e jurive të tyre. Pas kësaj, EBU tha se 6 vende kanë shkelur rregullat e votimit dhe për këtë arsye pikët e tyre janë rillogaritur “në bazë të rezultateve të vendeve të tjera me modele të ngjashme votimi.”

Menjëherë pas incidentit ka pasur reagim nga transmetuesit e Moldavisë, Rumanisë dhe Gjeorgjisë. Lidhur me këtë incident ka reaguar dhe Radio Televizioni Publik i Azerbajxhanit, i cili ka adresuar shqetësimin në një shkresë drejtuar Unionit Evropian të Transmetuesve.

“Ngjarjet që ndodhën gjatë natës finale të festivalit të këngës Eurovision 2022 dhe vendimet e marra më pas janë pritur me keqardhje nga Kompania Publike e Televizionit dhe Radios së Azerbajxhanit. Ne deklarojmë se u kemi dërguar organizatorëve të konkursit emrat e vendeve të votuara nga juria e Azerbajxhanit.

Sipas listës, 12 pikë i janë dhënë Ukrainës. Në përgjigje, organizatorët e konkursit i kërkuan përfaqësuesve të Televizionit Publik dhe Radios që në fund të natës finale të shpallin rezultate të reja, pa dhënë asnjë arsye. Ne e kemi refuzuar kategorikisht këtë kërkesë.

Menjëherë organizatorëve iu dërgua një shkresë zyrtare hetimore dhe ne thamë se do të shpallnim vetëm votat e jurisë sonë dhe jo votat e dhëna prej tyre gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Më pas, na u tha se kishte një “çudi” në votat e gjashtë vendeve, përfshirë Azerbajxhanin, gjatë gjysmëfinaleve të së enjtes.

Përkundër faktit se përfaqësuesi i Kompanisë Publike Transmetuese të Televizionit dhe Radios ishte i gatshëm të shpallte rezultatet e votimit të jurisë në Azerbajxhan gjatë transmetimit, organizatorët e konkursit nuk kontaktuan Baku-në, por shpallën rezultatet e tyre në emrin tonë duke thënë si kishte një problem teknik. Megjithatë, nuk kemi pasur ndonjë keqfunksionim që ka penguar shpalljen e votimit.

Theksojmë edhe një herë se ata nuk kanë të drejtë të shpallin votim në emër të Televizionit tonë Publik. Ne jemi në pritje të një përgjigjeje zyrtare për këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e mëtejshëm në varësi të saj. Shpresojmë që çështja të zgjidhet së shpejti dhe të vendoset drejtësia.”, thuhet në reagimin zyrtar.

Edhe pse jozyrtarisht, fjalia e fundit e komunikatës së Azerbajxhanit flet mjaft qartë. Nëse nuk marrin përgjigje të kënaqshme nga EBU , Azerbajxhani mund të kërcënojë të tërhiqet nga konkursi duke filluar nga viti i ardhshëm. Sipas informacioneve, Rumania po mendon gjithashtu të bëjë të njëjtën gjë dhe ndoshta katër vendet e tjera që akuzohen për manipulim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!