Ka zgjatur vetëm 3 minuta mbledhja e Kuvendit të Shqipërisë për Zgjedhjen e Presidentit të ri, por në mungesë të kandidaturave, ka dështuar raundi i parë për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.
Deputetja Klotilda Bushka, në relacionin e saj para deputetëve tha se në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Ligjore, nuk ëhstë paraqitur asnjë kandidaturë brenda agfateve ligjore, çka bën që raundi i parë të kalojë pa asnjë emër dhe pa votim.
Edhe pse javën e kaluar u mblodh Konferenca e Kryetarëve, u miratua vetëm data për raundin e parë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita edhe pse ishte e pranishme në mbledhje nuk votoi.
Asnjë nga palët deri tani nuk ka bërë asnjë propozim konkret për emrin e ri të Presidentit të republikës.
Gazetarja Erneta Shevroja bën me dije për Abc se nesër në orën 10:00 mblidhet Konferenca e Kryetareve për të caktuar datën e raundit të dytë për Presidentin. Afati maksimal i mbajtjes se seancës është data 23 maj.
Kujtojmë që me ndryshimet Kushtetuese të bëra në vitin 2008-të kreu i ri i Shtetit në tre raundet e para kërkon shumicë të cilësuar, pra 84 vota, ndërkohë që në raundin e katërt dhe të pestë zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ku duhen vetëm 71 vota, të cilat mazhoranca aktuale i ka.
/Abcnews.al/