Vdekja e gazetares gjatë përplasjeve mes ushtrisë izraelite dhe palestinezëve, palët fajësojnë njëra-tjetrën

schedule12:40 - 15 Maj, 2022

schedule 12:40 - 15 Maj, 2022

Shirin Abu Akle u qëllua për vdekje në moshën 51 vjeçare. Reporterja me përvojë e televizionit Al-Xhazira u vra të mërkurën (11.05) në mëngjes në Dxhenin në Jordanin Perëndimor, një qytet që konsiderohet, si bastion i palestinezëve militantë. Abu Akle donte të raportonte atje për një operacion të ushtrisë izraelite. Ajo mbante veshur një jelek antiplumb dhe helmetë, përmes të cilave identifikohej qartë si njeri i shtypit. Që vdekja e saj është një tragjedi për këtë pajtohen si qeveria izraelite ashtu edhe autoriteti autonom palestinez.

Por pas kësaj merr fund pajtimi. Në ditët e kaluara ka pasur akuza të forta si nga pala palestineze ashtu edhe nga qendra e Al-Xhaziras në Katar për qeverinë izraelite. Në ceremoninë përkujtimore në Ramallah, presidenti palestinez, Abas tha të enjten (12.05) se “ne i bëjmë plotësisht përgjegjëse autoritetet izraelite pushtuese për vrasjen dhe nuk do të jetë e mundur tek ky krim që të fshihet e vërteta.” Kryeministri izraelit, Naftali Bennett i kishte hedhur poshtë akuza të tilla që një ditë më parë. “Bazuar në informacionet e para, që ne kemi, ka shumë gjasa, që gazetarja të jetë qëlluar nga palestinezë të armatosur. Për të gjetur të vërtetën duhet të ketë një hetim të plotë.”

Jo hetim i përbashkët

Autoriteti autonom palestinez refuzon çdo lloj hetimi të përbashkët me autoritetet izraelite për shkak të “mungesës së besimit”, dhe do të drejtohet në vend të kësaj tek Gjykata Ndërkombëtare, thuhet. Ai nuk do të dorëzojë tek Izraeli as plumbat, me të cilat është qëlluar Abu Akle. Sipas njoftimeve të gazetës izraelite, Haaretz, Abu Akle me sa duket është qëlluar me një plumb të kalibrit 5,56 milimetër nga një armë M16. Gazeta shkruan, se armë të tilla përdoren si nga ushtria izraelite ashtu edhe nga luftëtarët palestinezë.

Abu Akle ishte e shoqëruar nga disa gazetarë, edhe nga një reporter palestinez, Ali Al-Samoudi, i cili u plagos. Ai ngre akuza të rënda kundër ushtrisë izraelite, dhe thotë, se nuk ka pasur luftëtarë palestinezë në afërsi, kur u qëllua ndaj gazetarëve. Për televizionin Al-Xhazira, Al Samoudi tha, se “ne donim të filmonim një operacion të ushtrisë izraelite dhe papritur ndaj nesh ne u qëllua,  pa na u thënë në fillim, që të largohemi nga zona apo të ndërpresim filmimet.”

Versione kundërthënëse

Ushtria izraelite nuk e pranon këtë version. Operacioni në Dxhenin ka qenë një operacion anti-terror, ushtarët ishin ndodhur nën një breshëri të fortë të palestinezëve të armatosur, thuhet në një deklaratë në twitter. E më tej: “Ushtria izraelite nuk qëllon asnjëherë me qëllim ndaj personave që nuk janë pjesëmarrës në luftime. Ne vlerësojmë lirinë e shtypit dhe të drejtën e pacënueshmërisë.” Të mërkurën Ministria e Jashtme izraelite publikoi një sekuencë me video, që të le të kuptosh, se palestinezët kishin dhënë goditjen vdekjeprurëse. Në twitter kjo ministri shkroi. “Sot në mëngjes në Dxhenin mund të dëgjoje terroristët të thonin: ‘e zuri njërin, e zuri një ushtar, ai ka rënë poshtë.” Por asnjë ushtar i ushtrisë izraelite nuk ishte plagosur. Palestinezët që qëlluan pa dallim kanë goditur me gjasë gazetaren e Al-Xhaziras, Abu Akle.” Disa ambasada, përfshirë atë të SHBA dhe Gjermanisë e përkthyen këtë tweet dhe e publikuan.

B’Tselem, një organizatë joqeveritare izrealite, kritike ndaj qeverisë e ka analizuar këtë video, dhe thotë se ka dalluar që videoja e publikuar nga Ministria e Jashtme izraelite tregon një skenë, që ndodhet larg vendit, ku është qëlluar Abu Akle. Dror Sadot nga B’Tselem thotë për Deutsche Wellen, se organizata ka të dhënat GPS të sakta të burrit të armatosur dhe të vendit. “Ne kemi material videoje në të dy vendet dhe mund të tregojmë, se nuk bëhet fjalë për një të njëjtin rast.” Kjo sigurisht nuk e zbardh përfundimisht, se kush e qëlloi Abu Akle.

Ushtria izraelite publikoi të premten (13.05) një deklaratë, ku thekson, se deri tani nuk është e mundur zbardhja përfundimtare. Ka dy mundësi thuhet aty: Ose palestinezë të armatosur kanë qëlluar pa dashur ndaj saj, kur donin të qëllonin ushtarë izraelitë. Ose ushtria izraelite e ka goditur pa dashur atë, kur ka qëlluar ndaj një të armatosuri në afërsi. /DW/