Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.
Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020.
E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të dëshmitarit Xhevahir Hasa, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika, me datën 25 dhjetor 1970
PROCES – VERBAL
I pyetjes së dëshmitarit
Fier më 25.12.1970
Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyes në cilësinë e dëshmitarit Xhevair Hasën, të birin e Maksutit dhe Beqores, lindur në 1944 në Gostivar dhe banues në Fier, pa parti, i pa dënuar, i martuar me dy fëmijë, me profesion tornitor në Uzinën rajonale të Fierit. U paralajmërua, se mban përgjegjësi penale, sipas nenit 220 të Kodit Penal, në rast se bën dëshmi të rreme.
Dëshmitari
(Xhevair Hasa)
Mbasi u pyet se çfarë dinte për çështjen, deklaroi:
Në vitin 1957, ka ardhur nga Jugosllavia në Shqipëri dhe është vendosur në Llakatund të Vlorës. Nga fundi i vitit 1963, u vendos me banim në Seman të Fierit, ku qëndroi deri në fundin e vitit 1966 dhe pastaj ka vajtur në Lushnje.
Gjatë kësaj periudhe që kam qëndruar me banim në Seman, jam njohur dhe me emigrantin Kosovar, Myrteza Bajraktari, i cili siç më ka thënë vetë, kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1962. Duke qenë se unë dhe Myrtezai ishim nga e njëjta krahinë, pra nga Gostivari, ne krijuam shoqëri të ngushtë me njëri tjetrin.
Bashkë, kemi qëndruar deri në vitin 1966 dhe marrëdhëniet miqësore i kemi pasur shumë të mira. Dua të theksoj se gjatë kësaj kohe, në momente të ndryshme Myrtezai, ka bërë biseda armiqësore ndaj Partisë e pushtetit popullor dhe konkretisht më ka thënë këto gjëra: Që gjoja ai, kur ka qenë në Jugosllavi, ka kryer 7 vjet burg, ndërsa është dënuar dhe dy herë të tjera me nga 5 dhe dy vjet burg. Mbasi kishte dalë nga burgu ky, kishte bashkëpunuar me UDB-në, gjoja për të kamufluar punën e tij në organizatën patriotike që luftonte për çlirimin e Kosovës.
Myrtezai më thoshte se: unë erdha këtu që të kërkoja ndihmë për çlirimin e Kosovës, kurse këta, më internuan në Seman. Dhe kjo sepse, Partia dhe Pushteti në Shqipëri, nuk e duan popullin kosovar, se këta e kanë lënë vetë Kosovën që gjatë Luftës, dhe nën regjimin e Titos, brigadat shqiptare nuk erdhën në trojet tona për të na çliruar, por për të na dëmtuar dhe së bashku me brigadat jugosllave, për të na lënë në robëri nën Jugosllavinë.
Më kujtohet mirë që në disa raste, Myrtezai, fliste keq për partizanët. Ai thoshte se në Shqipëri nuk janë vrarë 28.000 dëshmorë dhe se komunistët në këtë shifër fusin dhe viktima të tjera e këtë e bëjnë për politikë të jashtme. Myrtezai më thoshte se nën regjimin komunist shqiptar, njerëzit vuajnë për bukë e veshmbathje dhe se ky regjim qëndron në këmbë vetëm në saj të diktaturës dhe shtypjes.
Rinija theksonte ai, është si puna e kafshës që vetëm punon dhe shkon në shtëpi pasi, s’ka ku të dëfrejë. Shqipëria, nuk e do çlirimin e Kosovës por, mua më duhet Kosova. Regjimi komunist, thoshte Myrtezai, do të përmbyset. Ai më tregonte se në Kroaci e Maqedoni, janë ngritur disa grupe ilegale intelektualësh antikomunistë.
Në një rast kur unë dhe Myrtezai, ishim duke shëtitur në oborrin e kampit në Seman, në verën e 1965, më kujtohet të më ketë thënë se: në Jugosllavi, pavarësisht se regjimi atje ishte kundër Kosovës, populli ishte i lirë dhe nuk vuante për bukë si këtu. Ai më ka thënë se: çlirimin e Kosovës mund ta bëjë me ndërhyrje të armatosur vetëm Gjermania, pasi shteti gjerman është anti sllav.
Dhe Kosova pavarësinë e saj e ka gëzuar vetëm në kohën e regjimit nazist. Disa kohë pasi kisha krijuar miqësi me Myrtezain, përpara se të bënim këto biseda, unë i thashë se këtu në Shqipëri kam ardhur i vogël, pasi kisha babanë tim në Prrenjas të Librazhdit. Dhe unë nuk kisha mundur që të takohesha me të, prandaj nuk dija se çfarë të bëja, të qëndroja në Shqipëri, apo të ikja në Jugosllavi.
Para se të krijonte besim tek unë, Myrtezai më thoshte se nuk duhet të ikja në Jugosllavi, por më vonë kur ai krijoi besim tek unë, më thoshte që duhet të ikja sa më parë në Jugosllavi. Ai më tha që pasi të shkosh në Jugosllavi, bëj kërkesë për të ikur në Turqi. Unë më në fund pranova dhe pasi ai më hartoi kërkesën për t’u riatdhesuar, më dha disa porosi të cilat janë:
Mbasi të shkoja në Jugosllavi, duhet të takoja një mësues patriot të quajtur Hasan Bllaca, i cili jetonte në Shkup. Unë do t’i jepja parullën, që ishte: “Ju jeni nipi i Bajram Currit”?! Nëse ai do thoshte po, atëherë unë do ti thoja që:”Më ka dërguar stërnipi i Bajram Currit”. Pas kësaj Myrtezai, më tha që Hasanit t’i komunikoja, që nga Shqipëria mos prisni asnjë ndihmë për Kosovën, por drejtojuni shteteve të tjera.
Po kështu ai më tha që, kur të shkoja në Jugosllavi, të komunikoja me motrën e tij, që ishte martuar me Mehmetali Hoxhën dhe që të dy jetonin në Shkup. Motrës duhet t’i thoja se Myrtezain nuk e trajtojnë mirë si patriot, por e mbajnë të izoluar në kampin e Semanit, së bashku me kosovarët e tjerë. Kështu që ajo, duhet të ndërhynte tek fisi i tyre në Turqi, me qëllim që këta ta tërhiqnin Myrtezain atje.
Në disa raste të ndryshme, duhet të ketë qenë fundi i vitit 1965, përpara se ne të largoheshim nga Semani, Myrtezai ishte indinjuar nga trajtimi i keq që i kishin bërë në Shqipëri dhe fliste fjalë negative për regjimin komunist shqiptar.
Aq i indinjuar ishte ai saqë, më tha që kur të shkonte në Turqi, do të mbyllej në një dhomë dhe do të shkruante një libër, kur do të dëshmonte të gjitha keqtrajtimet që qeveria e Enver Hoxhës, ju bënte njerëzve këtu. Myrtezai më tha, që nuk do të qëndronte në Turqi, por do të shkonte në Gjermani për të jetuar, pasi sipas tij atje, si nacionalist që jam, do të përkrahem. Këto kanë qenë kryesisht bisedat armiqësore, që më kujtohen t’i kem zhvilluar me Myrteza Bajraktarin, gjatë tre vjetëve që kam ndenjur bashkë me të në Seman të Fierit.
Pasi u ndamë në vitin 1966, unë shkova në Çermë dhe në “Qytetin Stalin”, ndërsa ai filloi studimet në Universitetit Shtetëror të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe me Myrtezain, jam takuar dy tre here, kur ky ishte student në Tiranë. Por ndonjë bisedë armiqësore me të nuk kam zhvilluar, pasi koha e takimeve ishte e shkurtër. Ndonjë gjë tjetër e re nga ai, nuk më kujtohet. Pasi mbyllet proces-verbali, e lexova dhe mbasi shihet se fjalët e mia janë shkruar drejt, e nënshkrova.
Dëshmitari Xhevair Hasa Hetuesi Elham Gjika
Asistuesi Rasim Kërxhaliu
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Fazllai Ramadani, nga ana e hetuesit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika, me datën 25 dhjetor 1970
PROCES-VERBAL
Në Tiranë më 29.I.1971, unë hetuesi i Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Irfan Shaqiri, mora në pyetje të pandehurin, Faslli Ramadani.
Pyetja filloi n’ora 10.30’
Pyetja mbaroi ora 13.45’
PYETJE: Me Myrteza Bajraktarin, unë njihem nga viti 1970, me rastin e ardhjes të disa vizitorëve nga Kosova dhe unë desha që të takohem me njërin nga këta, që kishte ardhur tek Ramadan Shala në Tiranë.
Kur shkova në shtëpinë e Ramadanit, njerëzit e familjes së tij më thanë se Ramadani dhe turisti (vizitori), që kishte ardhur nga Kosova, kishin shkuar tek Pallati i Kulturës, për të pirë kafe dhe unë shkova drejt atje, u takova me vizitorin dhe Ramadan Shalën, mbasi piva dhe unë kafe, duallëm bulevardit.
Kur erdhëm përpara Komitetit Ekzekutiv të rrethit, u takuam rastësisht me Myrteza Bajraktarin, për të cilin kisha dëgjuar si emër, por deri në atë kohë nuk më ishte dhënë rasti të njihem. Mbas kësaj njohje, me Myrteza Bajraktarin, unë jam takuar dhe herë të tjera këtu në Tiranë, me sa më kujtohet, rreth nja dy herë e kam takuar me Kapllan Resulin, i cili e kishte shok, por ndonjë bisedë me karakter armiqësor, nga unë, ose ndërmjet tyre në prezencën time, nuk është bërë.
Një herë, unë, Kapllani dhe Myrtezai, shkuam në Pallat, ku kemi pirë kafe dhe njëherë para Bankës së Shtetit në Tiranë në behar të vitit 1970, Myrtezain unë e kam takuar mbasi ai mbaroi shkollën dhe e kishin emëruar me punë në Berat.
Një ditë e takova Myrtezain tek stacioni i autobusit në “Rrugën e Kavajës”, në muajin gusht 1970. Unë e pyeta dhe m’u përgjigj se ishte kthyer nga Berati, ku kishte vajtur të shikonte punën dhe kur ishte kthyer, ishte ndaluar në Lushnje te Kapllan Resuli, por sa kishte qëndruar atje dhe se çfarë kishin biseduar, nuk më tha gjë. Me kaq nuk e zgjatëm muhabetin, ai shkoi në punën e vet dhe unë në punën teme.
Myrteza Bajraktarin e kam takuar dhe njëherë në Ministrinë e Arsimit, ku vajta edhe unë për të rregulluar lutjen që kisha bërë për djalin, për të studiuar në Politeknikumin “7 Nëntori”, kurse Myrtezai, për të rregulluar punën e tij, që të mos shkonte në Berat. Mbasi u takuam, e pyetëm njeri-tjetrin dhe i treguam hallet njëri-tjetrit. Myrtezai më tha se do të takonte dikë në Ministrinë e Arsimit.
Ai filloi të më tregoi se të gjithë studentët që kishin mbaruar së bashku me të, ishin emëruar në Tiranë me punëra të mira, kurse mua, më tha Myrtezai, më dërguan në Berat. Pastaj ai më tha mua, se ne të dy, kot po mundohemi, se nuk do na bëjnë gjë, se këta, (pushteti), po na bëjnë një luftë ne kosovarëve dhe se për ne, mbeten punëra të këqija.
Myrtezai tha se po të takonte ministrin, ai do të fliste hapur para tij, që kundra ne kosovarëve, bëhet luftë dhe nuk na trajtojnë mirë. Bile Myrtezai tha, se për mos trajtimin e mirë të kosovarëve, do i drejtohej edhe Komitetit Qendror, në qoftë se nuk do të takonte me ministrin e Arsimit.
Unë e këshillova Myrtezain, që: mos fol kështu, por drejtoju punës ku të kanë emëruar në Berat, ose po të duash që të qëndrosh në Tiranë, futu punëtor krahu, meqenëse e ke gruan në teatër, por ai, më tha se: punëtor nuk punoi dot, se jam i sëmurë. Pastaj unë përdora në shprehje të tillë, që: “këtu më dhëmb dhe këtë më djeg, nuk ka”.
Mbasi e arrestuan Kapllan Resulin nga data 4 ose 5 nëntor 1970, e shoqja e Kapllanit, Vera Resuli, më mori në telefon dhe më pyeti për burrin e saj, Kapllanin, se mos kishte ardhur në Tiranë, unë asaj i’u përgjigja se nuk e kam parë. Ajo më tha interesohu, se mos Kapllani ka shkuar tek Myrtezai dhe unë shkova tek Myrtezai, për ta pyetur, ai m’u përgjigj, se nuk dinte gjë.
Nuk shkuan më tepër se dy ditë të bisedimit në telefon me Vera Resulin, kjo erdhi në Tiranë dhe biseduam përsëri, për çështjen e Kapllanit. Kjo m’u lut që të shkoj edhe njëherë të pyes tek Myrtezai, se mos kish marrë vesh ndonjë gjë për Kapllanin dhe unë vajta përsëri tek Myrtezai, sepse nuk po i jepnin fill kësaj pune.
Përsëri Myrtezai më tha, se nuk dinte gjë për Kapllanin. Duke biseduar me Myrtezanë, unë i tregova atij se, Kapllani në Lushnje, kur kishte ardhur nga Jugosllavia (Kosova), si vizitor i vëllai i Hamdi Berishës, në gusht 1970, Kapllani, sikurse më kishte treguar vetë, kishte biseduar me vizitorin, i cili ishte arsimtar në Kosovë, rreth çlirimit të Kosovës, se kjo punë do të bëhet vetëm nga kosovarët dhe pa ndihmën e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare.Kur ja tregova Myrtezait këtë, ai tha se kjo bisedë midis Kapllanit dhe arsimtarit që kishte ardhur nga Kosova, me siguri është marrë vesh dhe do e kenë arrestuar organet e Pushtetit. Me kaq, u ndava nga Myrtezai. Ndonjë send tjetër nuk di për Myrtezain.
Sa thashë, janë të vërteta dhe i firmos me firmën teme. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Fazlli Ramadani Irfan Shaqiri