Kanë kaluar kuotën e 600 milionë eurove donacionet për restaurimin e katedrales së Notrë Damë të Parisit, e dëmtuar nga zjarri i ditës së hënë. Mes donatorëve të fundit renditet familja Betenkurt-Mejers, ndër më të pasurat e Francës dhe trashëgimtare e kolosit “L’Oreal”, që ka dhuruar 200 milionë euro. Më herët, e njëjta shifër u dhurua nga familja Arno’, që zotëron grupin e famshëm të produkteve “Luis Vuiton-Met Henesi”. Duke u shprehur e shkatërruar nga zjarri që përfshiu katedralen, familja e njohur franceze u shpreh e gatshme të kontribuojë për rindërtimin e simbolit të Francës. Familja tjetër Pino’, gjithashtu ndër më të pasurat në Francë njoftoi ndërkohë dhurimin e 100 milionë eurove për restaurimin e katedrales së famshme. Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Parisit, An Hidalgo njoftoi për një kontribut prej 50 milionë eurosh nga komuna për rindërtimin e objektit. Hidalgo foli edhe për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh për të mundësuar restaurimin, që sipas autoriteteve do të jetë një proces i gjatë që mund të arrijë deri në 15 vjet. /abcnews.al
Francë, nisin donacionet për restaurimin e Notre Dame
schedule23:10 - 16 Prill, 2019
schedule 23:10 - 16 Prill, 2019