Marrëveshjet e armëve, tregojnë se Serbia po largohet nga Rusia për t’u afruar me Kinën

schedule14:58 - 13 Maj, 2022

schedule 14:58 - 13 Maj, 2022

Nga Vuk Vuksanoviç “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa sytë e botës ishin të përqendruar tek Rusia dhe pushtimi i saj në Ukrainë, një transaksion i madh ushtarak u zhvillua midis Serbisë dhe Kinës. Më 9 prill, 6 avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore të Ushtrisë Popullore Çlirimtare, zbarkuan në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, duke i dorëzuar ushtrisë serbe një sistem kinez të mbrojtjes raketore ajrore FK-3.

Marrëveshja në fjalë ishte nënshkruar që në vitin 2019, dhe ishte bërë publike një vit më vonë. Në mars, ushtria serbe formoi një njësi të re, të ngarkuar me përdorimin e sistemit FK-3. Koha e këtij transaksioni është e habitshme, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë.

Për Pekinin, ky aki është pjesë e ambicies së tij të njohur për të depërtuar në tregjet evropiane të mbrojtjes nëpërmjet Serbisë. Për Beogradin, marrëveshja bazohet tek nevoja për të modernizuar sistemet e saj të vjetruara të mbrojtjes, nevojën e balancimit të fuqive të mëdha në rajon, dhe tek dëshira e udhëheqjes serbe për të fituar mbështetjen e elektoratit.

Kina e ka pasur prej dekadash ambicien e krijimit të një bashkëpunimit të ngushtë në fushën e mbrojtjes me Evropën. Por ajo ishte penguar nga embargoja evropiane e armëve, e vendosur ndaj Kinës në kundërpërgjigje të shtypjes së protestave në Tiananmen. Kjo embargo është ende në fuqi, por vende të veçanta evropiane po përdorin boshllëqet ligjore, për të bërë biznes me Kinën në këtë fushë.

Serbia si një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është një partnere shumë e dobishme për Pekinin, teksa ky i fundit po synon të gjejë mënyra për të hyrë në tregun evropian të mbrojtjes. Gjatë 2 viteve të fundit, Serbia e ka zëvendësuar Rusinë me Kinën si partneren e saj kryesore në Lindje.

Kjo është blerja e parë e njohur në Evropë e sistemit kinez FK-3. Po ashtu dërgesa në Serbi në vitin 2020 e dronëve kinezë CH-92A, ishte eksporti i saj i parë në Evropë i pajisjeve të aviacionit ushtarak. Në marsin e vitit të kaluar, Ministri kinez i Mbrojtjes Ëei Fenghe zhvilloi një turne rajonal në Evropën Juglindore, duke vizituar Serbinë, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, që të gjitha vende të rëndësishme për Kinën, në kuadër të synimit të saj për të pasur lidhje më të ngushta me Evropën në fushën e mbrojtjes.

Greqia është në thelb një platformë detare që lidh Evropën me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Pastaj është edhe Maqedonia e Veriut, një kanal për trafikun tokësor, pasi kufizohet me disa vende të Ballkanit, e ndjekur nga Serbia, një vend që lidh Ballkanin me Evropën Qendrore nëpërmjet Hungarisë.

Të gjitha këto vende, përveç Serbisë, janë anëtare të NATO-s, ndërsa Greqia dhe Hungaria janë edhe anëtare të BE-së. Ajo vizitë dëshmoi edhe njëherë ambicien e Kinës për të fituar tregje të tjera në fushën e mbrojtjes në Ballkan. Dhe shpërndarja e sistemit FK-3 është pjesë e kësaj ndërmarrjeje.

Për Serbinë, blerja e sistemit kinez të mbrojtjes ajrore, është pjesë e përpjekjeve të saj për të modernizuar pajisjet e saj të vjetruara ushtarake. Një pjesë e madhe e arsenalit të saj, daton që nga koha e industrisë së madhe ushtarake të Jugosllavisë komuniste, e cila ishte pjesërisht e bazuar në standardet sovjetike.

Për një moment, ajo krijoi një forcë luftarake që e pengoi me sukses NATO-n nga pushtimi tokësor i Jugosllavisë gjatë Luftës së Kosovës. Deri atëherë, nuk mjaftonte zhvillimi i luftërave teknologjikisht të avancuara të shekullit XXI-të. Por që atëherë teknologjia ka avancuar edhe më shumë.

Pas aforizmit se gjeneralët janë ata që janë luftojnë gjithmonë betejën e fundit, kontrolli i hapësirës ajrore ka qenë gjithmonë në qendër të strategjisë serbe të mbrojtjes. Dy herët e mëparshme që Serbia u përfshi në një konflikt kundër fuqive të mëdha, ajo u përball me fuqi ajrore superiore:bombardimin e nazistëve ndaj Beogradit në vitin 1941 dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, kur u bombarduan Beogradi dhe qytetet e tjera të mëdha.

Po ashtu blerja e armëve, është pjesë e modelit serb për të diversifikuar partneritetet e saj në mbrojtje, dhe për t’i kundërvënë ndaj njëra-tjetrës fuqitë globale dhe ato rajonale. Këtë e dëshmojnë pajisje ushtarake që ka aktualisht në dispozicion Serbia.  Në vitin 2019, Serbia mori nga Rusia dhe Bjellorusia avionë luftarakë MiG-29.

Por meqë e tyre avionëve janë të vjetër, mund të zëvendësohen nga avionët francezë Rafale. Ndërkohë, Serbia bleu raketat Mistral nga Franca, një sistem të lëvizshëm të mbrojtjes ajrore me rreze infra të kuqe, dhe një sistem raketor anti-ajrore Pantsir-S1 nga Rusia.

Përveç blerjes së dronëve kinezë, Serbia është në bisedime për blerjen e dronëve turq Bayraktar TB2, për shkak të performancës së tyre shumë të mirë në Nagorno-Karabakh, Etiopi dhe Ukrainë. Duke u pajisur me sisteme armatimi nga fuqi si Kina, qeveria serbe shpreson të rrisë fuqinë e saj negociuese me Perëndimin.

Por në këto lëvizje ndikon edhe Rusia. Dy vitet e fundit, Serbia e ka zëvendësuar Rusinë me Kinën si partneren e saj kryesore në lindje. Kur në vitin 2020 u njoftua blerja e sistemit kinez FK-3, mediat ruse shprehë zemërimin e tyre ndaj Serbisë, që preferoi armët kineze në vend të sistemit raketor rus S-300.

Teksa të gjitha i kanë drejtuar sytë nga Rusia, Serbia dhe Kina besojnë se kanë më shumë hapësirë për të zhvilluar lidhjet dypalëshe. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë po e detyron Serbinë të reduktojë disa nga lidhjet e saj me Rusinë. Edhe pse Evropa ka ndikim padyshim mbi Serbinë, është e vërtetë se Pekini mund të mbushë shumë hapësirë ​​boshe që do të krijohet nga distancimi i Beogradit nga Moska.

Megjithëse lidhjet serbo-ruse përshkruhen zakonisht si një aleancë e kombeve sllave dhe ortodokse, ky është një partneritet oportunist, që varet shumë më tepër nga nevoja për leva ndikimi gjeopolitik sesa nga afërsitë historike.

Teksa mbetet e paqartë nëse Vucic do t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për të shmangur zemërimin e votuesve dashamirës ndaj Rusisë, instinkti i tij i mbijetesës i thotë atij se ai duhet të ruajë një profil të ulët ndaj Rusisë, duke e bërë Kinën edhe më të vlefshme si një partnere.

Në fund të fundit, në Serbi politika e brendshme dikton politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Ushtria mbetet ndër institucionet kombëtare më të besuara , me një normë vlerësimi prej 65 për qind. Një qeveri që ble armë të avancuara, dhe e përshtat veten si garantuese e sigurisë së vendit në kohë të trazuara, e forcon pozitën e regjimit në Beograd pas zgjedhjeve të 3 Prillit.

Nga ana tjetër rikthimi i luftës në Ballkan ka shumë pak gjasa të ndodhë. Serbia është e rrethuar nga anëtarët e NATO-s.  Kosova ka prani të trupave të NATO-s në formën e Forcës Paqeruajtëse të Kosovës. Në Bosnje Hercegovinë, është përforcuar misioni paqeruajtës i BE-së, Operacioni Althea, si një përgjigje ndaj luftës në Ukrainë.

Pavarësisht nga të gjitha mosmarrëveshjet, Serbia është anëtare e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Ky vend është pjesë e një Plan Veprimi Individual të Partneritetit, niveli më i lartë i bashkëpunimit që mund të ketë me NATO-n një shtet jo-anëtar.

Udhëheqësit serbë mund të jenë në gjendje të blejnë kohë duke i thënë Perëndimit:”Ne po distancohemi ngadalë nga Rusia, ndaj na lini të afrohemi për momentin me Kinën”. Është një lojë që mund të japë frytet e veta në një periudhë afatshkurtër, por jo afatgjatë, pasi rivaliteti Kinë-SHBA do të mbërrijë shumë shpejt edhe në Serbi.

Shënim:Vuk Vuksanovic, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, dhe  bashkëpunëtor në LSE IDEAS, një institut i politikës së jashtme në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!