Ekzekutimi i Admir Muratajt ka ndodhur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Ky fakt sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka ardhur nga përgjigja paraprake e ekspertizës mjeko-ligjore, ku Murataj u qëllua me një plumb në kokë duke i bërë rezistencë uniformave blu.
Dyshimet e organit të akuzës janë se 46-vjeçari me orgjinë nga Çermi i Tropojës ishte kryesori gjithashtu dhe ideatori i supergrabitjes së ndodhur mesditën e së martës brenda aeroporit të Rinasit.
Në fshatin Tapizë, vendi ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit, oficerët e policisë gjyqësore sekuestruan në total 100 gëzhoja automatike të armëve të kalibrave të ndryshëm. Ekspertiza, vërtetoi se viktimës Admir Murataj i është gjetur edhe mbetje të barutit në duar, duke përforcuar pistën e ekzekutimit gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Brenda furgonit të braktisur u gjet edhe një telefon celular i thjeshtë që dyshohet se i përket grabitësve.
Nga këqyrja paraprake e Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultoi se celulari nuk kishte të dhëna të mjaftueshme që mund të ndihmoj në zhvillimin e hetimeve. Por gjithsesi do të kërkohet që të behët një rieskpertim i dytë edhe i kartës SIM që ndodhej brenda tij.
Brenda kësaj jave pritet të merren në pyetje, zinxhiri komandues i kompanisë së sigurisë “ICTS” si dhe familjaret e të ndjerit Admir Murataj.
Ndërkohë janë sekuestruar të gjitha raportet e shërbimit, nga organi i akuzës, për të parë nesë janë zbatuar procedurat nga koncesionari po ashtu edhe ligjshmërinë e veprimeve të Komisariatit të Rinasit dhe patrullës së FNSH.
Prokuroria ka administruar edhe kërkesën e Shefit të Komisariatit të Rinasit, Përparim Dema drejtuar koncesionarit të aeroporit. Dema kërkon që të rritet siguria te portat nga ku hynë dhe dolën grabitësit por në këtë rast Aeroporti i Rinasit i është përgjigjur se nuk është përgjegjësi e policisë kjo, dhe nuk është as institucioni që mund të jap sugjerime të tilla.
Janë 3 prokurorë që po merren me super grabitjen e Rinasit, ndërsa janë regjistruar veprat penale për këtë ngjarje, për “Shpërdorim detyre”, “Krijim i grupit të strukturuar kriminal”, “Grabitje me armë” dhe “Vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë”./abcnews.al