Aksidenti që shkaktoi ditën e djeshme 39 vjeçari Ajas Sulejmani me makinën e tij luksoze “Benz G-Class” në mes të Tiranës mund të kishte përfunduar në mënyrë tragjike. Jeta e një familjeje ishte në fije të perit nga papërgjegjshëmëria e një të forti të droguar që përplasi te vijat të bardha çiftin Vilma dhe Arjan Konomi bashkë me fëmijën e tyre 3 muajsh në rrugën e Kavajës.
Teksa shohim pamjet e aksidentit na vjen në mendje fotografia e familjes së aksidentuar, me karrocën e foshjes së përmbysur e me kokën e përplasur në asfalt dhe dy prindërit të shtrirë në tokë njëri pas tjetrit, të cilët u përplasën më fort nga “G Classi” që nuk pyet për semafor dhe vija të bardha.
24 orë pas aksidentit fatmirësisht familja e kaloi rrezikun për jetën ndërsa shoferi është pas hekurave. Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se foshja 3 muajsh është nxjerrë nga spitali i Traumës dhe është marrë nga familjarët, pasi nuk ka pasur dëmtime. Kurse 2 prindërit ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital dhe kanë dalë nga trajnimi intensiv. Të dy janë zhvendosur në pavion dhe po trajtohen për Politraumë. Kanë dëmtime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit.
Si ndodhi aksidenti?
Me shpejtësi dhe me të kuqe, Ajas Sulejmani përplasi te vija të bardha çiftin Vilma dhe Arjan Konomi bashkë me fëmijën. Siç shihet në video, automjeti i parë ndalon shpejtësinë duke i hapur rrugën këmbësorëve, por mjeti tjetër tip Benz G Class pasi kishte kaluar semaforin me të kuqe e me shpejtësi tej normave i përplas ata.
Pasi shkaktoi aksidentin, autori 39 vjeçar braktisi aty mjetin luksoz me targa gjermane dhe u largua menjëherë prej andej. Shumë pranë vendngjarjes, uniformat blu ndaluan dhe shoqëruan në komisariat të afërmin e Sulejmanit që ndodhej pasagjer në mjet.
3 orë pas aksidentit, në një spital privat po në Tiranë, u arrestua 39 vjeçari Ajas Sulejmani, i cili prentedonte se ishte larguarnga vendi i ngjarjes pasi në makinë kishte një tjetër fëmijë që ishte lënduar. “Mbrojtja” e tij është e pavërtetuar. Nga testi rezultoi se 39 vjeçari po e drejtonte makinën nën efektin e narkotikëve.
Lexo këtu gjithçka për aksidentin e ndodhur dje
Theksojnë se shoferi 39 vjeçar nuk është një emër i pa njohur për autoritetet. Ajas Sulejmani jeton mes Gjermanisë dhe vendit tonë. Ndërsa në vitin 2014 emri i tij ishte në listën e të shpallurve në kërkim për trafik droge nga policia në Angli. Por mbetet e paqartë nëse e ka mbyllur çështjen me drejtësinë angleze.
Masat policisë
Pas aksidentit policia e ka gjobitur me 1 milion lekë të vjetra dhe i ka hequr patentën për 2 vite Ajas Sulejmanit ndërsa i ka zbritur edhe 10 pikë nga leja e drejtimit. Megjithatë kur bëhet fjalë për jetë njerëzish ky ndëshkim mbetet për t’u vënë në diskutim. Prej 6 vitesh Sulejmani është ndëshkuar nga Policia Rrugore e Tiranës 8 herë për shkelje të sinjalistikës rrugore, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit. Sulejmani është ndëshkuar disa herë edhe me bllokues gomash, për shkak të parkimeve të gabuara në rrugët e kryeqytetit. Hera e fundit që ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit Rrugor për t’u verifikuar ishte tre javë më parë po me mjetin luksoz që kreu sot aksidentin e rëndë.
I ftuar në Abc Live, kreu i Policisë së Rrugore, Altin Qato tha se puna e efektivëve në rrugë vijon intensivisht për zbulimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit. Ndërkohë që tha se Ajas Sulejmanit iu hoq patenta për dy vite, krahas tre veprave penale, për të cilat akuzohet.
Qato theksoi gjithashtu se krahas shoferëve, rregullat duhet të zbatohen edhe nga përdoruesit e tjerë të rrugës, siç janë këmbësorët. Kreu i Policisë Rrugore tha se ka shume këmbësore në rruget e vendit që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit në rrugë. be.k/abcnews.al