Prokuroria Speciale e Malit të Zi në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë konfirmuar se pas raportimeve në mediat sllovene lidhur me dyshimet për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, përmes kompanisë së tij MB CONSULTING me bazë në Mal të Zi, në një skandal financiar në Slloveni, kanë filluar hetime lidhur me rastin.
Nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë thënë për Express se kanë hapur hetime lidhur me rastin, dhe pas grumbullimit të provave në fazën preliminare të hetimit kanë konstatuar se s’ka ndonjë parregullësi sa i përket transaksioneve në vlerës prej 600 mijë eurove që i janë bërë firmës së Martin Berishajt nga dega e GEN-it në Beograd, e as sa i përket funksionimit të kompanisë së ambasadorit Berishaj MB Consulting.
Kësisoj, Prokuroria thotë se ka konstatuar se s’ka bazë për të filluar ndjekjen penale kundër ndonjë personi për ndonjë vepër penale që është nën kompetencat e Zyrës së Prokurorit Special të Shtetit, apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sips detyrës zyrtare.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Shtetit ka hapur rastin në lidhje me ngjarjen e përmendur. Hetimi paraprak është kryer ku kjo prokurori ka mbledhur informacione, dokumentacion dhe prova të caktuara nga të cilat rezulton se nuk ka parregullsi në lidhje me transaksionin e pasurive financiare që përmendët dhe në mënyrën e marrjes së këtyre pasurive, apo në ndonjë pjesë tjetër të funksionimin e personit juridik “M.B.C.” DOO P. Prandaj, kjo prokurori vlerësoi se nuk ka bazë për ndjekje penale kundër asnjë personi për ndonjë vepër penale që është në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka thënë për Express Prokurorja Speciale e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, Sanja Jovicevic. /GazetaExpress/