Qeveria italiane ka urdhëruar sekuestrimin e super jahtit të dyshuar si i Putin me vlerë rreth 700 milionë dollarë.
Mediat vendase bëjnë me dije se Scheherazade elegante është duke u riparuar në portin italian të Marina di Carrara që nga shtatori, por aktivitetet e fundit në port sugjerojnë se ekuipazhi mund të përgatitet për të dalë në det.
Ministria italiane e Financave në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se hetimet e zhvilluara në lidhje me këtë kanë treguar se pronari i jahtit kishte lidhje me “elementë të shquar të qeverisë ruse” dhe me njerëz të shenjestruar nga sanksionet e Bashkimit Evropian.
Një ish-anëtar i ekuipazhit i tha The Times se ndërsa punonte në Scheherazade, u fol se Putin ishte pronari i jahtit. Zyrtarët amerikanë thanë në mars se superjahti mund t’i përkiste presidentit rus.
Scheherazade ka dy platforma uljeje helikopterësh dhe mund të strehojë deri në 18 të ftuar dhe 40 anëtarë të ekuipazhit.
Ministria e Financave nuk e ka bërë të ditur emrin e pronarit, por ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të shtohet ai person në listën e sanksioneve dhe ka urdhëruar sekuestrimin e jahtit deri në vendimin përfundimtar./abcnews.al