Dubai është kthyer në një strehë për rusët e pasur të cilët largohen nga vendi për t’i shpëtuar ndikimit të sanksioneve perëndimore.
Një numër i madh miliarderësh dhe sipërmarrësish rusë kanë mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe, thanë udhëheqësit e biznesit për BBC.
Blerjet e pronave në Dubai nga rusët u rritën me 67% në tre muajt e parë të 2022, thuhet në një raport.
Emirate e Bashkuara Arabe nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e kanë kritikuar pushtimin e saj në Ukrainë.
Vendi po jep gjithashtu viza për rusët e pasanksionuar, ndërkohë që shumë vende perëndimore i kanë kufizuar ato.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rusia gjatë dy muajve të fundit, megjithatë nuk ka shifra të sakta të disponueshme.
Një ekonomist rus tha se rreth 200 mijë rusë ishin larguar në 10 ditët e para pas fillimit të luftës më 24 shkurt 2022.
“Virtuzone” e cila ndihmon kompanitë të krijojnë operacione në Dubai, ka parë një rritje të madhe të klientëve rusë.
“Ne po marrim 5 herë më shumë pyetje nga rusë që nga fillimi i luftës”, tha shefi ekzekutiv George Hojeige.
“Ata janë të shqetësuar nga sanksionet. Kjo është arsyeja pse po lëvizin këtu për të siguruar pasurinë e tyre”, shtoi ai.
Fluksi i shtetasve rusë ka rritur kërkesën për vila dhe apartamente luksoze në të gjithë qytetin.
Agjentët e pasurive të paluajtshme po raportojnë një rritje të kërkesave për prona, pasi rusët që mbërrijnë në Dubai po kërkojnë të blejnë shtëpi.
Agjencia e pasurive të paluajtshme me bazë në Dubai, Betterhomes zbuloi se blerjet e pronave nga rusët u rritën me 2 të tretat në tre muajt e parë të 2022.
Dhe një tjetër agjenci imobiliare, Modern Living, i tha BBC-së se kishte punësuar shumë agjentë rusisht-folës për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje. Shefi ekzekutiv Thiago Caldas tha se ata po merrnin telefonata të shumta nga shtetas rusë që kërkonin të zhvendoseshin menjëherë në Dubai.
“Rusët që po vijnë nuk po blejnë vetëm për investime, por po e shohin Dubain si një shtëpi të dytë”, tha ai.
Shumë kompani dhe biznese ruse po zhvendosin gjithashtu punonjësit e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Fuad Fatullev është bashkëthemeluesi i WeWay, një kompani teknologjike që kishte zyra në Rusi dhe në Ukrainë.
Pas shpërthimit të luftës, ai dhe partnerët e tij zhvendosën qindra punonjës në Dubai.
“Lufta pati një ndikim masiv në operacionet tona. Ne nuk mund të vazhdonim siç ishim pasi na duhej të zhvendosnim qindra njerëz jashtë Ukrainës dhe Rusisë,” thotë Fuad, i cili është një shtetas rus.
Ai shton se ata zgjodhën të zhvendosnin punonjësit e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi ofron një mjedis të sigurt ekonomik dhe politik për të operuar në një biznes.
Fuad tha se bizneset ruse po largoheshin pasi e kishin tepër të vështirë të operonin për shkak të sanksioneve.
Sfida ishte dhe më e vështirë për kompanitë që merreshin me klientë dhe marka ndërkombëtare, pasi shumica e firmave perëndimore kishin ndërprerë lidhjet me ndërmarrjet me bazë në Rusi, tha ai.
Çmimet e pasurive të paluajtshme
Bankës Qendrore të Rusisë i ndalohet të përdorë miliarda rezerva valutore të mbajtura jashtë shtetit në bankat e huaja. Disa banka ruse janë hequr nga sistemi i mesazheve financiare Swift.
Për të mbrojtur rezervat e saj, qeveria ruse ka miratuar kufizime kapitali dhe ka ndaluar qytetarët të dalin nga vendi me më shumë se 10,000 dollarë në valutë të huaj.
Duke e pasur të vështirë transferimin e parave të gatshme, shumë blerës rusë po bëjnë pagesa në kriptovaluta.
Disa nga blerësin kanë një ndërmjetës i cili merr pagesën në kripto dhe më pas ia kalon paratë e gatshme shitësit në emër të blerësit.
Shtetet e Gjirit, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, kanë refuzuar thirrjet nga qeveritë perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin një nga tre vendet e vetme, së bashku me Kinën dhe Indinë, që abstenuan në një votim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shkurt për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Ai gjithashtu abstenoi në një votim të Asamblesë së Përgjithshme më 7 prill për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut./abcnews.al/