Gjashtë deputetëve maqedonas të arrestuar i është hequr imuniteti pasi Komisioni për mandate dhe imunitete miratoi kërkesën e Gjykatës Penale. Ndërkohë që ka reaguar dhe ambasadori amerikan në Shkup, i cili tha se deri në momentin e vërtetimit të akuzave ata duhet të konsiderohen të pafajshëm.
Komisioni për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit në Maqedoni miratoi kërkesën e Gjykatës Penale për heqjen e imunitetit të 6 deputetëve: Kërste Mukovski, Johan Tarcullovski, Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Lupco dimovski, Zhaklina Peshevska. Në fillim të seancës fjalën e mori anëtari i LSDM-së, Aleksandër Kiraçovski, i cili deklaroi se do të votojnë pro heqjes së imunitetit ndërkohë në sallë nuk ishin të pranishëm anëtarët e VMRO-DPMNE-së. Nga Komisioni për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit raporti do të dorëzohet tek kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në seancë prej 2 ditësh i cili pastaj duhet të caktojë seancë plenare. Gjashtë deputetët janë ndër 36 të arrestuarve të cilët akuzohen për akt terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë në vend në lidhje me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Për këtë cështje ka reaguar dhe ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, i cili tha se arrestimet masive për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, janë zhvillime të rëndësishme dhe se po i ndjek me vëmendje të madhe. Bejli shtoi se policia dhe prokuroria duhet të kenë transparencë të plotë lidhur me këto zhvillime. Gjithsesi ai theksoi se deri në momentin që do të vërtetohen akuzat, ata duhet të konsiderohen të pafajjshëm duke shtuar se roli i parlamentit në këtë çështje është thelbësor./abcnews.al