Djali i heroit Arjan Sala merret në përkujdesjen e shtetit, Rama: Do ta mbështesim për 20 vitet e ardhshme  

schedule10:42 - 4 Maj, 2022

schedule 10:42 - 4 Maj, 2022

Aroni, djali 5-vjeçar i Arjan Salës, heroit që humbi jetën thuajse një vit më parë nga flakët për të shpëtuar kolegët e tij është marrë nën përkujdesjen e shtetit.

Vogëlushi është në mesin e 11 të tjerëve, prindërit e të cilëve ranë në krye të detyrës, morën statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Në ceremoninë e zhvilluar sot në Kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama vlerësoi edhe njëherë aktin dhe shembullin dinjitoz që Arjan Sala ka dhënë, ndërsa humbi jetën e tij.

Lexo edhe: Fëmijët e “heronjve” merren nën përkujdesje nga shteti, Rama: Përmbushëm amanetin

Rama theksoi se ky është një amanet i përmbushur, ndërsa Aroni do të ketë përkujdesjen e shtetit për 20 vitet e ardhshme të jetës së tij. Kryeministri zbuloi gjithashtu se ideja për t’i dhënë këtyre fëmijëve këtë status i erdhi ditën që vizitoi familjen e Arjan Salës.

“Rreziku më i madh që i kanoset çdo kujt në fakt, por sidomos një qeverie është që të jetojë me bindjen se i di të gjitha. Janë edhe ngjarjet, shembuj, nxitje që vijnë nga kontakti intensiv me shoqërinë dhe e pasurojnë dhe çojnë përpara programin e një qeverie. Një amanet të dëgjuar pa na u thënë të gjithë këta prindër që nuk jetojnë më. Një amanet të thënë pa fjalë Arjan Sala në shtëpinë  tij kur ai mungonte. Ishte e pranishme nusja e re dhe i ati, bashkë me familjarët e tjerë. ne i japim Aronit një mbështetje për 20 vitet e ardhshme me një mirënjohje të madhe jo vetëm për gjestin  të atit, por edhe nxitjen që i ati u bë që ne të jemi këtu sot”, u shpreh kryeministri. g.v/abcnews.al