Trump harron “dashurinë” me Wikileaks gjatë fushatës

schedule22:52 - 11 Prill, 2019

schedule 22:52 - 11 Prill, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të enjten se nuk ka një opinion personal për arrestimin e themeluesit të web sitet Uikiliks, Xhulian Asanzh, që tashmë përballet me mundësinë e ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk di asgjë për Uikiliks, nuk merrem me të dhe nuk kam një opinion”, ka deklaruar Trump për gazetarët përpara një takimi me presidentin koreano-jugor Mon Jae In.

Por në vitin 2016, gjatë fushatës elektorale, Trump vazhdimisht vlerësoi portalin ku publikoheshin kabllogramet e diplomacisë amerikane.

“Unë e adhuroj Uikiliks”, deklaroi asokohe Trump, pasi faqja e internetit kishte publikuar një paketë email-esh të Partisë Demokratike, të cilat dëmtuan kandidaturën e rivales së tij në zgjedhje, Hillari Klinton.

Në Shtetet e Bashkuara, prokurorët e kanë akuzuar Asanzh për komplot në bashkëpunim me ish-oficerin e ushtrisë Çelsi Mening për të pasur akses në kompjuterët e qeverisë, nga të cilët mund të vidhte informacionet konfidenciale.

Mening u dënua nga një gjykatë ushtarake në vitin 2013 për spiunazh në lidhje me publikimin e 700 mijë dokumenteve, videove dhe materialeve diplomatike e luftarake në faqen e Uikiliks. Megjithatë, dënimi prej 28 vjet burg u fal nga presidenti Barak Obama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!