Trupat e tre burrave janë gjetur në një gropë pranë Bucha-s në Ukrainë. Lajmin e ka bërë të ditur policia e vendit. Trupat u gjetën të premten në qytetin afër Kievit që është bërë sinonim i akuzave për krime lufte nga rusët.
“Duart e viktimave ishin të lidhura, sytë i kishin të mbuluara me një rrobë dhe disave u kishin zënë edhe gojën. Ka gjurmë torture në kufoma,” tha policia rajonale e Kievit në një deklaratë.
BBC raporton se nuk ka mundur që informacionet e dhëna t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
Moska ka mohuar që të ketë kryer krime lufte në Bucha, periferi e Kievit që ishte nën kontrollin e brigadës së 64-të të këmbësorisë së motorizuar për më shumë se një muaj nga filli i luftës. Ndërkohë, kujtojmë se Ukraina ka nisur “gjuetinë” për 10 ushtarë rusë të akuzuar për krime lufte në Bucha. /abcnews.al/