Momenti kur Dritan Abazoviç betohet si kryeministër i Malit të Zi

schedule21:31 - 28 Prill, 2022

schedule 21:31 - 28 Prill, 2022

Ky është momenti kur Dritan Abazoviç betohet si kryeministër i Malit të Zi.

Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi politikanin shqiptar Dritan Abazoviç si kryeministër të vendit dhe miratoi qeverinë e formuar prej tij.

Pas një seance disa orëshe debati, kabineti i Abazoviç mori 45 vota pro nga 81 që janë në Parlamentin malazez, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Lexo edhe: Politikani i “zhdërvjellët” Abazoviç, si u ngjit në majë të qeverisë së Malit të Zi?

Për qeverinë e Abazoviçit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri. Partitë ne pushtet janë  Lëvizja Qytetare URA, e kryeministrit Abazoviç, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës.

Kryeministri Dritan Abazoviç tha se objektivi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor.

Kabineti i ri ka katër zëvendëskryeministra, nga një për çdo parti të koalicionit qeveritar, 18 ministri dhe dy ministra pa portofol.

Më herët gjatë seancës parlamenti malazez zgjodhi kryetaren e tij Danijela Gjuroviç nga Partia Popullore Socialiste pro-serbe, duke mundësuar zhbllokimin e legjislativit që ishte bllokuar prej gati tre muajsh, që pas rrëzimit me mocion mosbesimi të qeverisë se ish kryeministrit Krivokapiç. Kjo është hera e dytë në historinë e Malit të zi që një grua zgjidhet në krye të parlamentit të vendit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!