Kush është kandidati kryesor për Kombëtaren Shqiptare

schedule22:30 - 9 Prill, 2019

schedule 22:30 - 9 Prill, 2019

Kandidati kryesor për stolin e kombëtares, Edoardo Reja, ka një karrierë të ngjashme me atë të Xhani De Biazit. Italiani me origjinë sllovene pati suksese me Napolin apo me Lacion.

Nëse Xhani De Biazi ka një të ngjashëm, është pikërisht ky. Edoardo Reja, shkurt Edi, kandidatura kryesore për stolin e kombëtares së Shqipërisë. Presidenti i Federatës, Armand Duka, njeriu që ka ekskluzivitetin e zgjedhjes, nuk ka vendosur ende, por karriera e një trajneri të tillë nuk mund të mos i bëjë përshtypje.

Edi Reja ka kaluar 25 etapa të trajningut, që nga viti 1979 deri në 2016, diçka që e afron me legjendën Oto Bariç, kroatin që ishte gjithashtu trajner i Shqipërisë. I vetmi minus për italianin me origjinë gjysmë sllovene është mosha, tashmë 73-vjeçare, dhe ndoshta kjo e ka bërë Dukën që të mendohet.

De Biazin e mori në moshën 55-vjeçare, një kufi që presidenti e ka cilësuar vazhdimisht si të domosdoshëm, sepse detyra e trajnerit të seleksionit kërkon shumë energji. Gjithsesi, flitet për një trajner që ka drejtuar Napolin, Lacion, Xhenoan, Atalantën, Torinon apo Bolonjën.

Edoardo Reja

Ashtu si De Biazi, Reja pati ciklet e veta të suksesit, duke nisur me Viçencën që e ngjiti në Serinë A. Lavdia më e madhe tek Napoli, të cilin e mori në 2005 në Serinë C, duke e ngjitur në Serinë B në 2006, e më pas në Serinë A, në 2007.

Jo vetëm kaq, por Napoli u kualifikua për në Kupën Intertoto dhe në Kupën UEFA, ku pati rast të vinte edhe në Shkodër, për duelin me Vllazninë, në Gusht të vitit 2008, fituar 3-0.

Reja u shkarkua në 2009, por tifozët napolitanë e vlerësojnë si një nga njerëzit më të dashur për ta, tekniku që afroi lojtarë si Laveci apo Hamshik. Në 2009-2010, ai ishte trajneri i Hajdukut të Splitit në Kroaci, ndërsa më pas u kthye në Itali, tek Lacio.

Në gati 2 vjet në stol, ai drejtoi kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Canën, dhe Lacio u ngjit nga vendet e fundit, në pjesën e sipërme të tabelës. Reja u largua me dëshirën e tij nga Lacio, por u kthye sërish për disa muaj në 2014.

Detyra e tij e fundit si trajner ishte tek Atalanta në vitet 2015 e 2016, në të cilat e mbajti klubin në Serinë A./abcnews.al