Partizani do të dijë të reagojë edhe pas momentit negativ. Trajneri Skënder Gega hedh poshtë akuzat dhe aludimet, ndërsa premton ndryshim ndaj Skënderbeut.
Partizani ka besim tek reagimi pas humbjes. Trajneri Gega premton reagim ndaj Skënderbeut.
Një nga përballjet më të vështira me mediat.
Edhe një njeri jashtëzakonisht i qetë dhe i përmbajtur si Skënder Gega, nuk mund të mos e ndiente presionin pas humbjes me Luftëtarin, që erdhi bashkë me eliminimin nga Kupa.
Trajneri i Partizanit pranon goditjen e marrë, por mbetet me besim për ndeshjen ndaj Skënderbeut, këtë mesjavë në Superligë.
“E rëndësishme është të ndërgjegjësohemi dhe të dimë që kemi gabuar në një moment jo të përshtatshëm. Ishte një rezultat i papritur por ky është futbolli dhe besoj se me Skënderbeun nuk do ketë të njëjtat gabime. Kemi patur humbje edhe herë të tjera dhe kemi ditur të reagojmë e të ecim përpara”, tha ai.
Pasi hedh poshtë aludimet për paracaktim të rezultateve, Gega reagon edhe pas akuzave se Partizani nuk bën lojë.
“Këta janë profesionistë. Po përflitemi se jemi cinikë dhe nuk bëjmë lojë. Kemi edhe 8 jave, hallet i heqim bashkë por festat do i ndajmë me të tjerët”, shprehet Gega.
Partizani ka vetëm 1 fitore në 6 ndeshjet e fundit, në total.
“Besoj se i kemi marrë pikët. Koicidencë, 2 ndeshjet e kupës me humbjen e kampionatit duket sikur është një minikrizë. Ishte periudhë e keqe, një moment jo i mirë. Humbja e kundërshtarit e vendosi ekipin jo në agresivitetin e duhur”
Pyetja nuk mund të mungonte për faktin nëse Gega ka presion pas rezultateve negative.
“Unë marr përgjegjësi për humbjen dhe për atë që ndodh te grupi që unë drejtoj, nuk ndryshoj. Jam i njëjti që nga dita e parë që kam ardhur te Partizani dhe deri ditën e fundit që do të jem këtu, jam i njëjti me mënyrën se si punoj. Teknikisht do mundohem të korrigjohem, por theksoj se do jem i njëjti deri në fund”, theksoi ai.
Partizani kryeson Superligën me 54 pikë ndaj 46 të Kukësit, kur mbeten edhe 9 javë për t’u mbyllur sezoni./abcnews.al