Komisar Artan Cuku shpallet “Dëshmor i Atdheut”

schedule13:34 - 9 Prill, 2019

schedule 13:34 - 9 Prill, 2019

Artan Cuku shpallet “Dëshmorë i Atdheut” dy vite pas ekzekutimi të tij. Sipas ministrit të Brendshëm, po punohet që porositësi i vrasjes së ish-drejtuesit të parë të Policisë së Shtetit të ekstradohet nga Athina drejt vendit tonë.

Numri i lartë i dëshmorëve të Policisë së Shtetit duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim të thellë ndaj shoqërisë në tërësi, e po kështu edhe ndaj klasës politike.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë ceremonisë së shpalljes “Dëshmor i Atdheut” të drejtuesit të parë Artan Cuku, dy vjet pas ekzekutuar të tipit mafioz, mbrëmjen e 8 prillit të 2017, pranë banesës së tij në Tiranë.

Sandër Lleshaj: “Shembulli i Artan Cukut dhe i qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit është një hipotekë e rëndë, por dhe e paçmueshme krenarie dhe vlerash të larta, që Policia e Shtetit do të ndjekë dhe vlerësojë në shërbimin e saj ndaj qytetarëve dhe ndaj sigurisë publike të vendit. Numri i lartë  i dëshmorëve të Policisë së Shtetit duhet të shërbejë si një thirrje për përkushtim, profesionalizëm, ndershmëri dhe dinjitet për çdo punonjës të saj dhe posaçërisht për ata të rinj që po bashkohen përditë e më shumë në radhët e strukturave të Policisë. Ky numër i lartë, madje jashtëzakonisht i lartë dëshmorësh, duhet të shërbejë edhe si një thirrje për reflektim të thellë, përgjegjësi të lartë ndaj çdo shqiptari, ndaj shoqërisë në tërësi, ndaj klasës politike”.

Lleshaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për më shumë policë, por për asnjë dëshmor nga radhët e saj, ndërsa kujtoi se po punohet që të ekstradohet nga Greqi drejt vendit tonë porositësi i vrasjes së Cukut.

Sandër Lleshaj: “Artan Cuku kaloi një karrierë shumë dinamike dhe të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit, duke kryer detyra në nivele të ndryshme drejtimi, nga më të ulëtat, deri të ato më të lartat, ku spikat ajo e Drejtorit të Policisë Vendore të qarkut Vlorës. Dhe e mbylli jetën e tij të re pas një atentati të pabesë, nga një dorë kriminale, me 8 prill 2017. Vrasësi i paguar i Artan Cukut u kap nga Policia e Shtetit në 11.06.2017, kurse porositësi i këtij krimi të shëmtuar është arrestuar me 29.12.2018 në Athinë, prej nga pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë ku do të duhet të përballet me drejtësinë”.

Rakip Cuku pohoi se vrasja e vëllait të tij ishte një goditje për të gjithë drejtësinë në vend.

Artan Cuku ka mbajtur poste të rëndësishme ne Policinë e Shtetit ne një karriere 16 vjeçare. 42-vjecari u lirua nga policia në qershor të vitit 2013. Cuku ka qenë më herët zv.Drejtor në Policinë e Tiranës para se të emërohej Drejtor në Vlorë, ndërsa ka punuar edhe si shef krimesh në Tiranë, Shkodër e Fier. Nga hetimet u provua se Mikel Shallari ekzekutoi Artan Cuku me 5 plumba. Ai ka statusin e dëshmitarit mbrojtur dhe u dënua me 10 vite burg, teksa pranoi të rrëfejë emrin e Bledar Jambellit personi që e pagoi për vrasjen e Cukut. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Jambelli u hakmor për një arrestim që Cuku i bëri në qytetin e Fierit si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!