Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet mes tensionesh. Partitë shqiptare BDI dhe PDSH janë në mbështetje të Stevo Pendarovskit, ndërkohë që “Aleanca për Shqiptarët” dhe Lëvizja “Besa”, kërkojnë të votohet mbi baza etnike. Por, sipas sondazheve, kandidati Blerim Reka, zor se mund të kalojë në raundin e dytë.
Në Maqedoninë e Veriut, partitë politike shqiptare, në këtë fushatë të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit, sa vijnë e po shtojnë retorikën, me akuza të ndërsjella, në përpjekje për të arkëtuar sa më shumë vota. Përplasja konsiston në çështjen nëse shqiptarët duhet të votojnë apo jo Stevo Pendarovskin, si kandidat konsensual, apo votën t’ia japin kandidatit Blerim Reka për të cilin sondazhet thonë se vështirë mund të hyjë në raundin e dytë.
Mollë sherri kësaj radhe është bërë pozicionimi për kandidatë të ndryshëm. Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindija Demokratike Kombëtare janë në mbështetje të Stevo Pendarovskit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe më shumë partive të vogla, ndërkohë që Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë dale në mbështetje të kandidatit të pavarur Blerim Reka. Liderët e këtyre dy të fundit, Ziadin Sela e Bilall Kasami, në paraqitjet e tyre, duke kritikuar integristët e Ali Ahmetit, bëjnë thirrje për votim mbi baza etnike:
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi, ndërkaq kanë rikujtuar se nuk është se deri tani partitë shqiptare nuk kanë nxjerrë kandidatë, porse asnjë prej tyre nuk ia ka dalë të kalojë në balotazh:
Rrjedhimisht, në zgjedhjet e deritashme presidenciale në Maqedoninë e Veriut ka pasur shtatë kandidatë shqiptarë dhe asnjëri prej tyre, nuk ia ka dalë të kalojë në raundin e dytë. Prej tyre, më së shumti vota kanë fituar i ndjeri Muharrem Nexhipi dhe Imer Selmani./abcnews.al