Kandidatët për krerët e degëve të PD në zgjedhjet që po zhvillohen nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha janë të pakënaqur. Përmes një njoftimi Komisioni i Rithemelimit ka deklaruar se po shqyrton ankesat e kandidatëve.
“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike. Pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike kanë mbërritur disa ankesa nga kandidatë pjesëmarrës në garë për Kryetar. Komisioni siguron opinionin publik se po shqyrton me seriozitet absolut çdo ankesë e do bëjë transparencë të plotë të të gjithë procesit zgjedhor. Ky është procesi zgjedhor më demokratik e më transparent i zhvilluar ndonjeherë nga një parti politike në Shqipëri. Partia Demokratike do të vazhdojë të bëjë transparencë të plotë të çdo hallke në procesin zgjedhor“, thuhet në njoftim.
Ditën e djeshme përplasjet për listat e votuesve kanë shtyrë zgjedhjet për kryetarin e degës së PD në Bulqizë. Shkak u bë ankimi i dy kandidatëve Defrim Fiku dhe Fatos Hoxha për fryrje të listave me anëtarët e rinj të shtuar nga grupi i Rithemelimit. Madje ka pasur pretendime se në listën e anëtarëve janë shtuar emra që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike, por i përkasin partive të tjera.
Zgjedhja e kryetarëve të rinj është nismë e grupit të Rithemelimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe që është kundërshtuar nga grupi tjetër që mbështet Enkelejd Alibeajn.
/abcnews.al