E ngjashme me një epidemi, dhuna në rrugët e Londrës duket e pandalshme. Pak orë pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi kriminalitetin, 3 persona janë sulmuar me armë të ftohta, një prej të cilëve ka marrë plagë të rënda.
Sërish akte dhune në rrugët e Londrës, ku të paktën tre persona janë sulmuar me armë të ftohta gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës. Aktet e dhunës u verifikuan pak orë pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kabinetit të kryeministres Theresa May pikërisht mbi përshkallëzimin e krimeve të rrugës.
Mes të lënduarve është edhe një vajzë që është goditur në stomak, e cila është në gjendje të rëndë por jo në rrezik për jetën. Sipas tabloidit “The Mirror”, 20-vjeçarja është sulmuar rreth orës 23 të së shtunës në një shtëpi në veri të Londrës.
E përgjakur, ajo u zvarrit deri në spitalin më të afërt, ku u shtrua me urgjencë. Sipas burimeve mediatike, lidhur me ngjarjen është arrestuar një moshatar i vajzës. Vala e kriminalitetit që ka përfshirë Britaninë, e përqendruar kryesisht në Londër, ngjason me një epidemi të pandalshme.
Ekspertë të krimit dhe çështjeve sociale, por edhe zyrtarë vendas kanë paralajmëruar se do të duhen të paktën 10 vjet që situata të qetësohet, pasi sipas tyre është çështje e ndërrimit të brezave dhe jo thjesht çështje kriminaliteti./abcnews.al