Pasaportat e reja Britanike pas Brexit do të jenë në ngjyrën blu 

schedule13:04 - 6 Prill, 2019

schedule 13:04 - 6 Prill, 2019

Publikimi i pasaportave të reja Britanike pas daljes nga Bashkimi Evropian ka shkaktuar jo pak polemika. Në rrjetet sociale janë të shumtë ata që të zemëruar shkruajnë se vendi ende nuk ka dalë nga BE. Pasaportat e reja do të jenë në ngjyrë blu dhe nuk do të kenë më diciturën e Bashkimit Evropian

Pothuajse tre vjet nga referendumi për Brexit, Mbretëria e Bashkuar nuk arrin ende të përfundojë planin e saj për daljen nga Bashkimi Evropian. Por pasaportat e reja të vëna në qarkullim ditët e fundit për qytetarët britanikë, janë pa diciturën e “Bashkimit Evropian”, në faqen e parë dhe në brendësi.

Një vendim që ka shkaktuar polemika të shumta në rrjetet sociale, sidomos të britanikëve pro evropianë të cilët janë shprehur të zhgënjyer ndaj autoriteteve. Shumë prej tyre kujtojnë ndër të tjera se vendi ende nuk ka dalë, nuk dihet se kur do të ndodhë, dhe qeveria ka hequr që tani siglën e Bashkimit Evropian.

Nga ana e qeverisë britanike nuk ka pasur asnjë reagim. Në të vërtetë çdo gjë ishte e parashikuar, vetëm se ndoshta duhej të ishte pritur pak më shumë meqenëse Londra, të paktën deri në 12 prill është ende një vend evropian. E ndoshta do të jetë dhe për shumë kohë duke pasur parasysh situatën aktuale politike në vend e cila është e bllokuar.

Pasaportat e reja pa të shkruarën “Bashkimi Evropian” janë përgatitur për 29 marsin e kaluar, dita e parashikuar e daljes së Londrës nga Bashkimi Evropian por që më pas u shty me kërkesë të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo për shkak se ende nuk është arritur një marrëveshje për Brexit.

Sipas planeve të qeverisë, në fund të vitit 2020 do të rikthehet dhe ngjyra e vjetër e pasaportave, ajo blu, në vend të ngjyrës së kuqe që ka aktualisht. Një ngjyrë karakteristike e Bashkimit Evropian. Por e vetmja gjë e sigurtë aktualisht është se nuk dihet se çfarë do të ndodhë deri në ditën e Brexit dhe pas saj./abcnews.al