“Lufta” online në PD, “Rithemelimi” mori grupin e WhatsApp-it, deputetja i kërkon llogari Alibeajt për Facebook

schedule10:44 - 21 Prill, 2022

schedule 10:44 - 21 Prill, 2022

Është zhvilluar me debate të forta mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Zgjedhja e presidentit të ri ka përplasur Sali Berishën dhe Enkelejd Alibeajn.

Ndërsa fokusi ka qenë pikërisht te procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit, deputetja Ilda Dhori ka shprehur në mbledhje një tjetër shqetësim.

Deputetja ka pyetur Alibeajn se çfarë po ndodh me faqen zyrtare të PD-së në Facebook, pasi nuk po transmetohen aty deklaratat e tyre.

“Çfarë po ndodh me faqen zyrtare të Facebook të PD-së. Nuk publikohet asgjë, as fjalët e deputeteve ne Parlament, as diskutimet në komisione”, ka thënë deputetja. Ndërsa Alibeaj u përgjigj: “Do rregullohet shumë shpejt”.

Kujtojmë se pasi Komisioni i Rithemelimit u fit në selinë e PD-së, mori kontrollin edhe të kanaleve të komunikimit. Grupi në Whatsapp i PD me gazetarët kontrollohet prej javësh nga “Rithemelimi”, ndërkohë që nuk kanë mundur të marrin faqen zyrtare në Facebook, me mbi 300 mijë ndjekës.

Komisioni i Rithemelimit ka hapur një llogari tjetër në Facebook me emrin “Partia Demokratike e Shqiperisë – Komisioni i Rithemelimit”, me mbi 4 mijë ndjekës. g.v/abcnews.al