Dominic Lieven –The Economist
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Perandoritë janë fuqi të mëdha. Zhdukja e tyre zakonisht shoqërohet me luftëra gjeopolitike. Por ato përbëhen gjithashtu nga politika shumëkombëshe me popuj që jetojnë së bashku. Shndërrimi i një perandorie në shtete kombëtare me popuj dhe kufij sovranë të përcaktuar ndodh shumë rrallë pa konflikte të mëdha.
Pushtimi rus i Ukrainës është një rast i tillë.
Në vitet 1880, këshilltari kryesor ligjor i ministrisë së jashtme ruse tha se nëse parimi kombëtar për çdo popull do të zbatohej në rajonin e gjerë që atëherë sundohej nga romanovët, habsburgët dhe osmanët, rezultati do të ishte një kaos. Ai kishte të drejtë. U deshën dy luftëra botërore, shumë konflikte më të vogla, gjenocid dhe spastrim etnik në një shkallë të gjerë për ta shndërruar hartën perandorake të Europës Qendrore dhe Lindore në hartën kombëtare të pas vitit 1945.
Pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme po jeton ende me pasojat e rënies së perandorisë osmane dhe të perandorive britanike dhe franceze që për pak kohë mbushën një pjesë të boshllëkut që lanë pas osmanët.
Shtetet-kombe, etno-gjuhësore dhe demokratike të stilit europian kishin vështirësi të mëdha për të hedhur rrënjë në një botë ku besnikëria përkufizohej tradicionalisht nga komuniteti lokal, feja, dinastia dhe rajoni.
Pasojat e kolapsit perandorak shpesh kërkojnë një brez ose më shumë për t’u shfaqur. Shkëputja e Bangladeshit nga Pakistani ndodhi 24 vite pas përfundimit të Indisë Britanike. Edhe pse fundi i perandorisë britanike u menaxhua më mirë se shumica, konfliktet post-perandorake ende vazhdojnë sot nga Irlanda, në të gjithë Lindjen e Mesme (Qipro, Irak, Palestinë) deri në Fixhi, raporton abcnews.al.
Më e ashpra prej tyre është konfrontimi midis Indisë dhe Pakistanit për rajonin e diskutueshëm kufitar të Kashmirit.
Shembulli më i frikshëm i ndikimit të vonuar të rënies së një perandorie është Gjermania. Ashtu si Rusia në 1991, pavarsisht problematikave të shumta në 1919, Gjermania mbeti deri tani vendi më i fuqishëm në rajon.
Një kombinim i pakënaqësisë post-perandorake dhe fuqisë së rifituar e bëri atë të sfidonte zgjidhjen territoriale që u dakordësua në Traktatin e Versajës. Kjo nuk është diçka për të bërë krahasime mes Adolf Hitlerit dhe Vladimir Putinit. Me ose pa Hitlerin, Gjermania ndoshta me kalimin e kohës do të kishte sfiduar rendin e pasluftës në Europën Lindore-Qendrore.
Pas vitit 1945, Bashkimi Sovjetik ishte perandoria që arriti të mbijetonte. Tani po jetojmë me pasojat e shembjes së tij. Ishte një mrekulli që kjo perandori, me historinë e saj të njollosur me gjak dhe me aparatin e saj masiv të sigurisë, u shpërbë midis viteve 1985 dhe 1991.
Pushtimi i Ukrainës është hakmarrja e vonuar e shembjes së perandorisë sovjetike për atë që e cilëson si 30 vite poshtërim, tërheqje dhe disfatë.
Nga këndvështrimi i Perëndimit, rënia gati pa gjakderdhje e komunizmit sovjetik ishte pothuajse një përrallë.
Ai ushqeu besimin, që të kujton tmerrësisht europianët para vitit 1914, se qytetërimi bashkëkohor perëndimor shënoi fundin e historisë dhe triumfin përfundimtar të vlerave liberale.
Por për rusët, vitet 1990 nuk ishin asgjë tjetër veçse një përrallë. Ekonomia dhe institucionet politike u shpërbënë. Jetëgjatësia shënoi rënien më të madhe. Rreth 25 milionë rusë etnikë u larguan nga vendi.
Rusia u shndërrua shumë shpejt nga një superfuqi në një lypës.
Nuk është për t’u habitur që shumë rusë e duan Putin. Si gjithmonë, humbja e perandorisë ruse do të thoshte më së shumti për elitat e saj. Ajo preku ndjenjën e tyre të statusit, vetëvlerësimit dhe rëndësisë historike botërore.
Humbja e Ukrainës në mënyrë specifike i ka lënduar më shumë rusët se sa humbja e republikave të tjera sovjetike. Pushtimi i Ukrainës ka qenë prej kohësh thelbësor për ekzistencën e Rusisë si një perandori e madhe; shkëputja e saj në 1991 vulosi fatin e Bashkimit Sovjetik.
Humbja e Krimesë preku veçanërisht rusët. Baza e madhe detare në Sevastopol ishte jetike për fuqinë ruse në rajonin e Detit të Zi dhe zinte një vend unik në kujtesën historike të Rusisë (që i detyrohej mbi të gjitha rrethimeve të mëdha gjatë Luftës së Krimesë dhe Luftës së Dytë Botërore).
Si për shkak të rëndësisë së saj për Rusinë, ashtu edhe për shkak të ndarjeve të brendshme midis lindjes rusisht-folëse dhe pjesës tjetër të vendit, gjithmonë kam besuar se një Ukrainë e pavarur mund të mbijetojë vetëm nëse marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin do të mbeten të qëndrueshme.
Ukraina mund të veprojë si një urë lidhëse midis të dyjave. Kur Ukraina u detyrua të zgjidhte midis Rusisë dhe Perëndimit ,siç ndodhi përfundimisht në 2014, atëherë nisi fatkeqësia.
Strategjia fillestare e Putinit ka dështuar. Ai ndoshta tani do të përpiqet të pushtojë të gjithë rajonin e Donbasit dhe të krijojë një urë tokësore midis vendit të tij dhe Krimesë.
Nëse diçka e tillë do të rezultojë e suksesshme, Ukraina nuk do ta pranojë kurrë këtë kufi të ri si bazë për paqen afatgjatë. Lufta e guximshme e pavarësisë kundër pushtuesit rus do të shndërrohet në thelbin unifikues të mitit kombëtar ukrainas.
Edhe pas largimit të Putinit, çdo qeveri e ardhshme ruse do ta ketë të vështirë të tërhiqet nga Donbasi e aq më pak nga Krimea dhe të ruajë legjitimitetin. Nëse luftërat e tjera kufitare, si në Kashmir, janë një udhërrëfyes, konflikti ruso-ukrainas mund të zgjasë për dekada, duke kërcënuar stabilitetin ndërkombëtar dhe duke shpërthyer periodikisht në beteja të rinovuara.
Madje mund të përshkallëzohet në një luftë bërthamore.
/abcnews.al