Grupi Parlamentar i PD-së, do të mblidhet për të vendosur nëse do të marrë pjesë dhe si do veprohet për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Kjo u bë e ditur nga kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj.
“E kam thënë dhe do jetë grupi që do mbajë qëndrimin e vet, mbi procesin. Do kemi një mbledhje paraprake dhe është bërë rutinë kjo mbledhje. Nuk është Presdienti i deputetëve por i shqiptarëve. Këtë do bëjë grupi parlamentar i PD-së. “ tha Alibeaj.
Kujtojmë se Procedura parlamentare për përzgjedhjen e kreut të ri të shtetit do të nisë në 29 prill, me mbajtjen e Konferencës së Kryetarëve.
Megjithatë nga dita e nesëerme, shumica ka thirrur për konsultime 3 grupet parlamentare të opozitës.
Me deputetët e Komisionit të Rithemelimit dhe ata të LSI nuk do të ketë konsultime sa kohë që nuk kanë grupe parlamentare në Kuvend.
Por pavarësisht se do të negociohet me qëllimin e gjetjes së një figure konsensuale, edhe pse i kanë votat për ta zgjedhur të vetëm presidentin e ri, socialistët e bëjnë të qartë se nuk do të pranojnë një kandidat që vjen nga radhët e opozitës.
Të martën përmbyllet dhe procesi dorëzimit të kandidaturave nga deputetë socialistë, që do t’i sjellin 3 propozimet e tyre në mbledhjen e grupit në zarfë të mbyllur. Ndërkohë që pjesë e procesit të konsultimit do të jenë dhe shoqëria civile si dhe vetë qytetarët, që socialistët i ftojnë të shprehin preferencat e tyre për kandidatët për president përmes postes elektronike.
Socialistët kanë propozuar që seanca e parë, nga 5 seanca që parashikon Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit, të zhvillohet në datën 4 maj./abcnews.al/

