Partia Socialiste këtë të martë ka nisur procesin për propozimet e kandidaturave për emrin e kreut të ri të shtetit, ndërsa presidenti aktual Ilir Meta ndodhet për një vizitë zyrtare në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri.
Meta përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë me dije se ai ndodhet në Kalabri në takim me shqiptarët atje, ndërkohë që anëtarët e grupit parlamentar socialist po votojnë për emrin e kreut të ri të shtetit që do të propozojnë.
“Përherë i nderuar nga mikpritja e ngrohtë e Arbëreshëve. I lumtur që ndodhem sot në qytezën e bukur të Civita, ku fryma e atdhedashurisë dhe krenaria për historinë, traditën, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare ruhen ende të gjalla si në Motin e Madh të Kryeheroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeut”, shkruan Meta. /abcnews.al