CNN ka bërë një analizë se pse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të marrë kontrollin e Donbasit në Ukrainë.
Donbasi është rajoni që mbulon pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, ai ka qenë vija e parë e konfliktit të vendit me Rusinë që nga viti 2014.
Por tani banorët e Donbasit të rrënuar nga tetë vjet luftime, po përgatiten për një sulm edhe më intensiv.
Shumë shpejt pritet të zhvillohet një betejë për kontrollin e territorit, e cila do të përcaktojë pushtimin e presidentit rus Vladimir Putin, pasi forcat e tij pësuan dështime të rënda në Kiev dhe në të gjithë Ukrainën qendrore dhe veriore.
Të hënën, zyrtarët ukrainas edhe Ministria ruse e Mbrojtjes raportuan për veprime të gjera ushtarake në lindje të Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkohë, imazhet satelitore kanë treguar autokolona ushtarake ruse dhe njësi të rifurnizuara që lëvizin drejt Donbasit për një ofensivë në shkallë të gjerë, me ministrin e Jashtëm ukrainas që ka paralajmëruar botën për një betejë të afërt që do t’ju “kujtojë Luftën e Dytë Botërore”.
Një fitore ruse në rajon do të tmerronte Perëndimin, por mund të shpëtonte qëllimet e luftës të Putinit, ndërsa një disfatë mund të çimentonte pushtimin e tij si një dështim historik.
Sido që të jetë, është pothuajse e sigurt që do të këtë akoma më shumë shkatërrime në rajonin e Donbasit, një vend historik dhe kulturor i rëndësishëm, afërsia e të cilit me Rusinë ka diktuar një pjesë të madhe të ekzistencës së saj të trazuar.
Ata që kanë jetuar në rajon e përshkruajnë atë si një qendër të pavarur dhe të ashpër të industrisë që ka mbetur në vëmendje të forcave të jashtme për dekada të tëra. Por valët e konfliktit atje që nga viti 2014 kanë shkatërruar qytetet e saj, dhe përgjatë vijës së saj të kontaktit ushtria ukrainase dhe ruse janë duke krijuar një fazë të re dhe të paparashikueshme të luftës./abcnews.al/