“Pakti për Universitetin”, Rama: Rektori nuk është mbret që të mos shkarkohet

schedule21:45 - 3 Prill, 2019

schedule 21:45 - 3 Prill, 2019

Shkarkimi i Rektorit të universitetit të Tiranës Mynyr Koni, ishte ideja e artikuluar hapur gjatë një bashkëbisedimi të studentëve e pedagogëve me Kryeministrin Rama. Teksa diskutohej mbi paktin për Universitetin, emri i Rektorit u lakua si shqetësim si nga kryeministri ashtu edhe nga studentët.

I mblodhi sërish për Paktin për Universitetin, por fokusi u bë Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni. Teksa dëgjoi shqetësimet që studentë e pedagogë i ngritën, për moszgjidhjen e tyre, kryeministri e drejtoi gishtin tek rektori Koni.

 Edi Rama: “Fakulteti mund të ishte ristrukturuar, por fondet mbarten për arsye të mos arsyes që nuk ka lidhje me ligjin, por shpërdorimin e autonomies…Rektori i Tiranës duhet të përgjigjet, pasi e keni zgjedhur ju, por ai rri atje…Biblioteka dixhitale është hapur, por nuk përdoret dot”.

Më tej Rama ju tha të pranishmëve në bashkëbisedimin në Kryeministri se i vetmi që se ka marrë vesh nëse ka ndodhur apo jo protesta ishte vetëm Rektori i UT-së, Mynyr Koni.

Edi Rama: “Se ka ndodhur se nuk ka ndodhur protesta, i vetmi që nuk e ka marrë vesh dhe nuk ka asnjë shqetësim dhe rrezik akoma nuk e di se ka ndodhur dhe se ka pasur kërkesa është xhaketa e rektorit. Kjo është pikëpyetje, në radhë të parë për ju si studentë, se nesër do të shkoni prapë në fakultet dhe prapë nuk do të punojë ai. Do të vijë një ditë dhe ju do të shkoni prapë te ministria dhe do të thoni na hiqni rektorin, ndërsa ju e keni aty rektorin. Pakti për Universitetin nuk është program elektoral”.

Kishte edhe nga ata studentë që i kërkuan Ramës shkarkimin e Rektorit. Për këtë Rama kishte një përgjigje thumbuese.

Edi Rama:Nuk është mbret por është më rehat se çdo mbret. Unë besoj personalisht, që ligji aktual i arsimit të lartë, fuqia që ligji i jep të gjitha strukturave të tjera janë të mjaftueshme pa llogaritur fuqinë që ka çdo student që e patë vetë kur bëheni bashkë që rektori reago brenda 24 orësh. Kjo është rruga më e shëndetshme, dhe do të vendosë një standard tjetër sjellje të rektorit dhe rektoratit me gjithë pjesën tjetër”.

Gjatë bashkëbisedimit për Paktin për Universitetin kryeministri Rama theksoi se duke marrë parasysh problematikat për titujt shkencorë është me rëndësi edhe futja e gjuhës shqipe në universitete, si dhe rishikimi i certifikatave të mbrojtjes së anglishtes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!