Partia e presidentit turk Erdogan nuk pranon ti dorëzojë Stambollin opozitës, dhe pse në zgjedhjet e të dielës kandidati Social-Demokrat mori rreth 25 mijë vota më shumë se rivali i tij. Në fakt sipas vendimit të marrë nga komisioni elektoral, votat do të rinumërohen në të paktën 8 nga 39 minibashki
Fletëvotimet e shpallura si të pavlefshme në numërimin e parë në zgjedhjet vendore të së dielës së kaluar në Turqi, do të rivlerësohen sërish. Procesi do të nisë në të paktën 8 nga 39 minibashkitë e Stambollit.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të komisionit elektoral suprem turk, pas ankimimeve të dorëzuara nga partia e presidentit Erdogan.
Në fakt AKP, ka ankimuar në të gjitha minibashkitë e metropolit mbi Bosfor, kundër fitores së Social-Demokratit Ekrem Imamoglu. Ky i fundit u zgjodh kryebashkiak i Stambollit me 25 mijë vota më shumë se rivali i tij, nga 9 milion të tilla.
Kryetari i komisionit elektoral u shpreh se nuk bëhet fjalë për një vendim të paprecedentë./abcnews.al