Presidenti Donald Trump është tërhequr nga kërcënimi për të mbyllur kufirin me Meksikën. Ai e ka argumentuar lëvizjen e tij me masat e marra nga pala meksikane për të frenuar azilkërkuesit, por mediat amerikane shkruajnë se arsyeja e vërtetë është frika nga humbjet kolosale nga tregtia dypalëshe me Meksikën.
Shtëpia e Bardhë u tërhoq të martën nga kërcënimi për të mbyllur kufirin me Meksikën, i bërë javën e kaluar nga presidenti Donald Trump për shkak të fluksit të emigrantëve. Zëdhënësja e selisë presidenciale, Sarah Sanders deklaroi se administrata amerikane ka mbetur e kënaqur nga masat e marra nga autoritetet meksikane, që sipas saj kanë ndaluar shumë azilkërkues që synonin të kalonin ilegalisht kufirin. “Kemi konstatuar një rritje të masave dhe të ndërveprimit nga pala meksikane, shpresojmë që të vazhdojnë në këtë mënyrë”, deklaroi Sanders. Zbutja e toneve u konfirmua nga vetë kreu i shtetit, përmes një postimi në Tuitter, ku vlerësonte gjithashtu përpjekjet e fqinjit jugor për të ndalur flukset e azilkërkuesve. “Pas dekadash të tëra, Meksika po ndalon njerëz të shumtë në kufirin tonë jugor, që vijnë kryesisht nga Guatemala, Salvadori dhe Hondurasi”, shkroi Trump në profilin e tij. Por për shtypin amerikan, arsyeja e lëvizjes së Trump është një tjetër. Mediat lokale shkruajnë se mbyllja e kufirit do të shkaktonte një ngadalësim të fluksit të udhëtarëve të rregullt, që do të sillte miliona dollarë humbje për Shtetet e Bashkuara, si dhe të tregtisë dypalëshe me Meksikën, dëmet financiare të të cilës do të shkonin në miliarda dollarë. Gjithashtu, vijojnë burimet mediatike, më tepër sesa masave të marra nga meksikanët, rënia e fluksit të azilkërkuesve i detyrohet ridërgimit të 750 oficerëve amerikanë në kufirin mes dy vendeve. /abcnews.al