Nga Ajgena Korbi
Me shumëfishim të të sëmurëve me zëmër, me probleme në rrugët e frymëmarrjes, tumore, diabet apo sëmundje të tjera kronike pritet të përballemi gjatë dhjetë viteve në vijim.
Shkaku është pandemia e Covid 19 dhe plakja e popullsisë.
Në strategjinë kombëtare të shëndetësisë 2021 – 2030 theksohet presioni në rritje mbi shërbimin shëndetësor.
“Arsyet kryesore do të jenë të lidhura me rritjen e rasteve të cilat kanë mbetur të padiagnostikuara gjatë pandemisë dhe rritjen e komplikimeve kardiovaskulare dhe respiratore afatgjata te personat që kanë kaluar Covid-19”.
Frika nga Covid mbajti njerëzit larg spitaleve duke ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve në stade të avancuara të sëmundjes.
Shqetësimi është ngritur shpesh nga mjekët ndërsa raporti i monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë nxori në pah se në vitin 2020 shtrimet në spital ranë me 29% krahasuar me një vit më parë.
Transplantet e veshkës u reduktuan me 63%, në kardiologji dhe kardiokirurgji trajtimet e të sëmurëve u ulën me 26% po kaq ra dhe depistimit i kancerit të gjirit.
“Dobësimi i zinxhirit të shërbimeve parandaluese për sëmundjet jo të trasmetueshme që lidhen me duhanin, alkoolin, dietën e pashëndetshme dhe pasivitetin fizik mund të përkthehen në shtim të rasteve në të ardhmen.
E ardhmja gjithashtu do të sjellë emergjenca të tjera dhe mbetet prioritare që shërbimet për sëmundjet jo të trasmetueshme të vijojnë të funksionojnë pavarësisht ndryshimit të qëllimit politik të situatës që shkaktohet”.
Sëmundjet jo të transmetueshme sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë shkaku i 90% të vdekjeve në vendin tonë.