Pas energjisë rritet dhe çmimi i ujit, çfarë u prezantua sot në Kuvend

schedule15:48 - 14 Prill, 2022

schedule 15:48 - 14 Prill, 2022

Enti Rregullator i Ujit prezantoi këtë të enjte në Kuvend raportin vjetor për vitin 2021, ku rritja e çmimit të ujit për qytetarët duket e pashmangshme. Faktorët që mund të çojnë në këtë rritje janë disa, por më kryesori është çmimi i energjisë elektrike.

Sipas raportit të ERRE-s, vendimi i Qeverisë për të nxjerrë në treg të lirë mbi 7 mijë biznese prek pjesën më të madhe të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve. Kjo do të thotë se këto shoqëri, prej datës 1 janar 2022 paguajnë një kilovat energji elektrike me çmim deri në tre herë më të lartë se para kësaj date.

“Në nëntor 2021 referuar një VKM bizneset të cilat furnizohen me energji elektrike nga burime 20KV, 10KV dhe 6 KV duke filluar nga 1 janari 2022 do të faturohen me tarifa të liberalizuara sipas tregut dhe jo më si më parë me tarifa të rregulluara nga ERRE. Në këtë kategori futen pothuajse të gjithë shoqëritë UK të Shqipërisë, që do të thotë se pritet një rritje mjaft e madhe e kostos së energjisë elektrike për to. Duke patur parasysh impaktin negativ mjaft të madh të këtij akti në ekuilibrin financiar të shoqërive, priten vendime të tjera nga qeveria për përballimin e kësaj situate nga shoqëritë UK”, thuhet në raportin e ERRU.

Si shembull, ERRU sjell në raport kostot energjitike të ujësjellësit të Durrësit, që për vitin 2021 patën një rritje rekord në 191 mln lek. Ndikim në rritjen e faturës, sipas ERRU, ka dhënë edhe mënyra e re blerjes së energjisë elektrike si rezultat i krizës energjitike të katër muajve të fundit të vitit 2021.

Sipas njoftimit nga OSHEE, shoqëritë UK që furnizohen me energji nga burimi 35 KV faturohen nga OSHEE me tarifa të liberalizuara të tregut, pra jo të rregulluara nga ERRE. Subjekt i kësaj gjendje ka qenë UK Durrës e cila për muajt e krizës është faturuar nga OSHEE me tarifa të tregut që kanë qenë rreth 3 herë më të larta se ato para saj.

Çmimet e trefishuara të energjisë elektrike për ujësjellësat do të rëndojnë borxhin që këto ndërmarrje kanë ndaj OSHEE-së. Deri më tani këto kompani kanë një borxh prej 20.37 mld lekësh, ose rreth 160 mln eurosh. Nga këto, 100 mln euro janë detyrime të faturuara ndaj shoqërive dhe 9.32 miliardë lekë janë kamatë-vonesa.

Në këto kushte, rritja e çmimit të ujit, sipas raportit të ERRU-t është e pashmangshme. Deri në fund të vitit të kaluar, Enti përcaktonte çmimet për shoqëritë e ujësjellësave përmes metodologjisë “Kosto+”, ku parimi kryesor ishte rritja e tarifave për shoqëritë që propozonin mbulimin 100 për qind të kostove operacionale dhe të mirëmbajtjes.

Sipas ERRU-t, nga 58 shoqëri vetëm 12 të tilla mbulojnë kostot operacionale e të mirëmbajtjes dhe që kanë objektiv mbulimin 100 për qind të kostove të të gjithë aktivitetit të tyre, jo vetëm atë operacional e mirëmbajtës. Për këto shoqëri, gjatë këtij viti mund të aplikohet metodologjia e re e përllogaritjes së tarifave, që përcakton çmimet tavan.

Sa u takon punësimeve, ERRU vëren në raport se organika e shoqërive është e mbipopulluar, edhe me raste punësimesh abuzive. Megjithatë, gjatë 2021, Enti thekson se vetëm 11 punonjës janë punësuar nga ujësjellësat, ndërsa numri i tyre ka rënë në 5.28 punonjës për 1 mijë lidhje, nga 5.32 punonjës që ishte në vitin 2020.

ERRU thekson se përmirësimi i lehtë i eficencës së stafit për vitin 2021, nuk tregon për përmirësimin e vëmendjes së shoqërisë për këtë tregues, sepse kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të lidhjeve të ujit me rreth 17,200 lidhje ndërkohë që numri i stafit është shtuar me 11 punonjës.

Në shumë shoqëri, punësimet janë artificialisht të larta për shkak të kërkesës në plotësimin e detyrimit ligjor për garantimin e sigurisë së veprave me personel roje të sistemeve, si dhe abuzimi me punësimet e pajustifikuara. Në këtë drejtim, ERRU thotë se kërkohet një angazhim më i madh nga shoqëritë dhe bashkitë përkatëse për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik./ Gazetasi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!