Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të nis hetim parlamentar dhe të inteligjencës për raportimet e konfirmuara se Shërbimi Sekret serb ka provuar ta vrasë ish-raportuesin në Këshillin e Evropës, Dick Marty për t’ia vënë fajin kosovarëve.
Çitaku ka shkruar se raporti i Martyt mbi krimet e luftës në Kosovë është i ushqyer nga shërbimet inteligjente serbe.
“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet parlamentare dhe të inteligjencës për raportet e konfirmuara tani se shërbimet serbe u përpoqën të vrisnin Dick Martin për t’ia hedhur fajin UÇK-së. Ai është i njohur për një raport të dyshimtë mbi krimet e luftës, i cili është ushqyer edhe nga shërbimet inteligjente serbe. Çështje e kalbur”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, “Mise au Point” ka nxjerr një hulumtim për Dick Martyn, ku zbulohet që ish-prokurori i njohur zviceran, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’i vishet kosovarëve, me të vetmin qëllim, diskreditimin e Kosovës.
Për pasojë, sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.
E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh.
Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.
Vetë Marty ka folur për këtë situatë.
“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai./Express