Parlamenti Britanik ka refuzuar të gjitha alternativat ndaj marrëveshjes së arritur mes Kryeministres Mej dhe Brukselit për Brexit. Tashmë mbeten vetëm dy mundësi: dalja pa marrëveshje nga Bashkimi Europian në 12 prill, ose një votim i katërt për marrëveshjen e arritur nga Mej.
Mbetet ende e bllokuar situata në Britaninë e Madhe për sa i përket Brexit. Parlamenti Britanik rrëzoi sërish katër opsionet e planit B, alternativë e marrëveshjes së divorcit të arritur nga kryeministrja Mej. Propozimet për të mbajtur lidhje ekonomike shumë më të ngushta pas Brexit, mbajtja e një referendum të dytë apo ndalimi i Brexit, për të shmangur një divorc nga Brukseli pa marrëveshje, nuk kanë arritur të marrin mazhorancën e votave në parlament.
Ministri Britanik për Brexit, Stefën Barklei, hodhi hipotezën e një votimi të katërt për marrëveshjen e Tereza Mej. Ai theksoi se në mungesë të një marrëveshjeje të miratuar nga parlamenti atëherë Britania e Madhe do të dalë nga Bashkimi Evropian pa një të tillë.
Barklei propozoi ndër të tjera, një votim të katërt të marrëveshjes së Mej në fundjavë. Lideri i laburistëve Xheremi Korbin, kritikoi përpjekjen e qeverisë për të ripropozuar marrëveshjen e Mej duke përmendur tre dështimet e mëparshme.
Ndërkohë ka reaguar dhe koordinatori i Parlamentit Europian Gaj Verhofstad. Në profilin e tij në Twitter ai shkruante se një Brexit i ashpër është pothuajse i paevitueshëm. Sipas tij e mërkura mbetet mundësia e fundit e Britanisë së madhe për të zhbllokuar situatën./abcnews.al