Pas një kohe të gjatë që kishte shërbyer si drejtor i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, në fundin e vitit 2020 kishte vendosur që ta dërgonte për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arsyet për një vendim të tillë të Vuçiçit janë parë menjëherë, pasi që Marko Gjuriç si një zyrtar me përvojë të gjatë në fushën e propagandës, kishte filluar një fushatë të egër në Washington, me synim të përmirësimit të imazhit të Serbisë dhe të raporteve Beograd-Washington.
Një fotografi që e publikoi ditë më parë në Zyrën Ovale ku shihej bashkë me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Por për fotografinë në Shtëpi të Bardhë kishte reaguar edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili e ka quajtur Gjuriqin si një ambasador të shkëlqyer dhe se i kishte ardhur mirë që ai ishte takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Biden.
Ndërkohë Gjuriq nuk po e ndal aktivitetin e tij në Washington. Ai ka takuar sot edhe disa anëtarë të Këshillit Biznesor Gjermano-Amerikan për të diskutuar për Ballkanin e Hapur, ide kjo të cilën janë duke e shtyrë përpara Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Përveç iniciativës që ka Serbia me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Gjuriq tha se ka folur edhe për marrëdhëniet ekonomike të shtetit të tij me SHBA-në dhe Gjermaninë.
“Një diskutim i shkëlqyer sot me anëtarët e Këshillit të Biznesit Gjermano-Amerikan mbi marrëdhëniet aktuale ekonomike dhe tregtare Serbi-Gjermani dhe Serbi-SHBA, rëndësinë rajonale të nismës Open Balkan, si dhe mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit transatlantik”, ka thënë Gjuriq./ Express