Kartel i karburanteve? Debate tek “ligjet”, Bejtja: Brenda ditës u rrit 3 herë çmimi

schedule12:03 - 12 Prill, 2022

schedule 12:03 - 12 Prill, 2022

Komisioni për Çështjet Ligjore është mbledhur sot, ku në rendin e ditës po diskutohet edhe për Bordin e ngritur nga qeveria për të rregulluar çmimin e karburanteve.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, u pyet nga deputeti Oerd Bylykbashi lidhur me cënimin që mund t’i bëhet tregut të lirë. Sipas Bejtjas kjo nuk ndodh pasi Bordi vendos vetëm çmimin tavan ndërsa operatorët që shesin karburant mund të vendosin vetë çmimin e konkurrencës. Për një kartel të mundshëm mes tregtarëve të naftës, Bejtja ka thënë se është Autoriteti i Konkurrencës që heton dhe jo Bordi i Transparencës.

Bejtja: Duhet të ketë 125 litra rezervë sigurie. Dhe këto janë të shtetit. Ato mbahen në disa forma, rezerva. Në total në treg duhet të jenë 90 ditë karburant më tepër se sa është kërkesa ditore. Këtë e kemi pasur gjithmonë në ligj.

Bejtja: Bordi cakton vetëm çmimin tavan. Kushdo ka të drejtë ta shesë me çmim të ulët. Bizneset në bord janë për të qenë transparent. Na i jep dogana të dhënat dhe jo ata që shesin. Krijimi i karteleve nuk ekziston. Pra Bordi nuk kontrollon nëse ka kartele. Ato i bën Konkurrenca. Bordi nuk i ka këto funksione.

Alibeja: Praktikisht për ekonominë, është kthim nga demokracia në komunizëm. Kush janë arsyet që u mor ky vendim.

Bejtja: Kishim mungesë furnizimi. U reduktuan importet me 60%. Kjo do sillte nivel tjetër të rritjes së çmimit dhe do kishim problem furnizimi. Arsye tjetër është ndikimi që pati impulsi i rritjes në të gjithë sektorët e tjerë.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, u shpreh se Bordi u mblodh se më datë 9 mars çmimi u rrit tre herë brenda ditës.

Bejtja: Kishte dyshime për abuzimin e çmimit. Rasti flagrant ishte me 9 mars që u ndryshua tre herë brenda ditës. Dhe kjo nuk pasqyronte tregun. Përfundoi në 290 lekë në darkë. Për këtë u pa e udhës të kishte një monitorim. U vendos që të mos ketë më shumë se 6% marzh fitimi.

/abcnews.al/