“U kemi lënë Amerikën!”

schedule10:07 - 12 Prill, 2022

schedule 10:07 - 12 Prill, 2022

Nga Edi Oga
Kur dikush nuk ndjehet mjaftueshëm i fuqishëm për të luftuar një kundërshtar, përdor shprehjen ngushëlluese dhe (jo) gjithmonë efikase “I kam lënë Zotin!” Kjo do të thotë se herët a vonë, ky person që i ka bërë keq dhe nuk ka marrë shpagim, do ta gjejë të keqen nga Zoti. I dëmtuari do të përdorë të gjitha “aksionet” e veta që ka tek i Gjithpushtetshmi, me lutje apo kurbane, që ky i fundit të derdhë mbi keqbërësin ndëshkimin që meriton, madje edhe ca më tepër.

Të pazotë për t’i përzgjedhur, për t’i kontrolluar, për t’i hetuar e për t’i ndëshkuar, shqiptarët po aplikojnë të njejtën “formulë” kundrejt politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar, ata i kanë lënë atyre “Amerikën”, alias Departamentin e Shtetit, i cili nëpërmejt një fjalë latine me një parashtesë mohuese, u “shkatërron” atyre karrierën dhe u copëton pasurinë. Si rrjedhim shqiptarëve u rikthehet shpresa tek e ardhmja, sepse përveç Zotit në Qiell, ata “i sheh” edhe Zoti në Tokë, Amerika!

“Po sikur janë pak nga dy non-grata në vit!”, thotë njëri në kafe. Sepse “nongratllëku” o miq nuk është si “llotaria amerikane”, i përgjigjet tjetri përballë. Pastaj, nëse do bëhej hall kaq i madh për të gjithë të korruptuarit e një vendi, ndërhyn i treti, ata do të reagonin. Do bëheshin bashkë, do hiqnin mënjanë një pjesë nga pasuria e tyre dhe me to do të blinin zyrtarë atje në Amerikë. Se njerëz janë, edhe ata e hanë “lekun”!

Pas katër orësh diskutime, bien të tre dakord. “U kemi lënë Amerikën!”

“Kamarier, i kam unë këto kafet. Mos u merr lekë atyre!” (sherr)