Në Turqi votohet për zgjedhjet lokale, që më tepër sesa për qeverisjen vendore janë një test për presidentin Erdogan. I ndodhur në mes të një krize ekonomike, Erdogan druhet se mund të humbasë bastionet e tij, mes të cilëve Ankaranë dhe Stambollin.
Miliona njerëz në Turqi u janë drejtuar qendrave të votimit në kuadër të zgjedhjeve lokale, një proces që gjerësisht shihet si një referendum për presidentin Recep Taip Erdoan. Zgjedhjet mbahen në një periudhë me ekonomi të trazuar dhe partia në pushtet, Drejtësi dhe Zhvillim, druhet se mund të humbasë kontrollin e Ankarasë dhe Stambollit, qytetet më të mëdha të vendit. Kryetarët dhe këshilltarët bashkiakë do të zgjidhen në mbarë Turqinë, me betejat më të forta që do të zhvillohen në një grusht qytetesh ku partitë e opozitës janë bashkuar si rrallë herë. Qeveria qendrore ka deklaruar se çdo kandidat që mbështet grupet terroriste do të shkarkohet, një mesazh i qartë ky për partinë pro-kurde HDP, që sipas presidentit mbështet milicitë terroriste. Vetë Erdogan po përballet me betejën e karrierës së tij, pasi ka deklaruar se vota e së dielës është vota për mbijetesën e partisë dhe vendit që ai udhëheq prej 16 vjetësh. Aktualisht Turqia ndodhet në recesion, inflacioni është në 20 për qind, ndërsa llira ka rënë me një të tretën, duke çuar në falimentimin e shumë bizneseve. Ndërkohë, incidentet gjatë procesit zgjedhor nuk kanë munguar. Dy persona u qëlluan për vdekje në një qendër zgjedhore në qytetin lindor të Malatias. Sipas mediave lokale, përplasja nisi pasi një person refuzoi të përdorte kabinën e votimit, duke zgjedhur të votonte në ambjent të hapur. /abcnews.al