Lionel Mesi ishte sërish vendimtar për Barcelonën, në derbin ndaj Espanjolit në ligën spanjolle. Dy gola të argjentinasit siguruan fitoren në stadiumin “Kamp Nou”
Kur një skuadër nuk luan mirë, dhe fiton, atëherë ajo është shumë e rrezikshme. Vështirë se mund të vinte dita që ta thoje këtë fjalë për Barcelonën, veçse pragmatizmi është filozofia e trajnerit Ernesto Valverde, që ka edhe armën e tij aspak të fshehtë, Lionel Mesin.
Sido që të paraqitet Barça, sado të ketë kritika për uljen e ritmit, dhe pakësimin e spektaklit, vetëm një gjë nuk ndryshon, sasia e golave të numrit 10. Kapiteni zgjidhi një ndeshje të vështirë si kjo ndaj Espanjolit (jo më kot ishte derbi), madje duke tejkaluar dyshimet se mund të mos ishte në gjendje për të luajtur mirë.
Pak ditë më parë, u dëmtua ndërsa luante në kombëtaren e Argjentinës, dhe rreziku ishte i madh. Valverde, gjithsesi, vendosi të guxonte dhe basti doli fitues. Pas një pjese të parë tepër të vakët, u desh klasi i Mesit që të arrihej fitorja.
Një goditje dënimi në stilin “Panenka” dhe përfundimi i një aksioni në kombinim me Malkomin, mjaftuan për të vendosur fatin e sfidës së La Ligës, me shifrat 2-0.
Barcelona ka tani 69 pikë, ndërsa duhen edhe 9 javë deri në fund të kampionatit. Rivalët si Atletiko apo Real janë shumë prapa.
Vetë Mesi vazhdoi një sezon që mund ta quash pa frikë të jashtëzakonshëm. Edhe pse po i afrohet moshës 32-vjeçare, ai nuk po e ngadalëson ritmin.
Deri tani, ka 31 gola në 27 ndeshje në La Liga, dhe 41 rrjeta gjithsej në 38 takime. Kjo do të thotë se tashmë, Leos iu bënë 10 edicione radhazi me të paktën 40 gola, diçka vërtet tepër e rrallë. Me titullin thuajse në xhep, përqëndrimi është tek Liga e Kampionëve./abcnews.al