Nga zhvarrosja te “skanimi” i farmacive, autoritetet po gjurmojnë mënyrën sesi e siguroi ketaminën nëna e Georginës

schedule11:48 - 9 Prill, 2022

schedule 11:48 - 9 Prill, 2022

Autoritetet në Greqi janë duke hetuar rrugën që ka ndjekur ketamina derisa arriti në duart e 33-vjeçares Roula Pispirigou. Kjo e fundit akuzohet se e ka përdorur substancën për t’i dhënë fund jetës së vajzës së saj 9-vjeçare Georgina.

Ndonëse raportet i referohen një “rruge elektronike” të substancës që rezultoi fatale për vogëlushen, Departamenti i Vrasjeve në Atike nuk po mjaftohet vetëm me versionin aktual. Sipas raportimeve, të gjitha farmacitë në zonë janë “skanuar” dhe po ashtu edhe pikat e tjera të shitjes nga të cilat mund të sigurohej ilegalisht ketamina.

Më shumë theksi vihet tek një “bashkëpunim” që Roula Pispirigou mund të ketë me një të afërm që merrej me substanca narkotike. Policia ka marrë të dhëna për këtë person, i cili ka qenë bashkëbisedues i rregullt i të akuzuarës para se të caktohet masa e paraburgimit.

Nga hapja e 8 celularëve të Roulës, por edhe nga kërkimet e saj në internet, mund të zbulohet një “kombinim” që do të nxjerrë në dritë mënyrën se si ketamina arrinte në duart e saj, nëse sigurisht nuk është dikush tjetër që e ka administruar substancën në trupin e vajzës.

Ndërkohë, kujtojmë se Georgina e vogël është zhvarrosur dje pasi bashkë me të në arkivol e ëma kishte futur edhe një tablet që mund të nxjerrë në dritë të dhëna të tjera rreth ngjarjes tragjike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!