Java e parasë, aktivitete ndërgjegjësuese për edukimin financiar

schedule21:30 - 30 Mars, 2019

schedule 21:30 - 30 Mars, 2019

Edukimi financiar i brezit të ri ishte në qendër të vëmendjes së Bankës së Shqipërisë këtë javë.  Ashtu si dhe në të gjithë botën dhe në vendin tonë u organizuan një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese për të rinjtë.

Në të gjithë globin, kjo javë i është dedikuar edukimit financiar të fëmijëve me qëllim që brezi i ri në të ardhmen të mund të marrë vendime të mirë menduara. Slogani botëror i përzgjedhur nga organizatat ndërkombëtare është “Mëso, kurse, fito”, ndërsa në Shqipëri Banka Qendrore mendoi ta zgjeronte tematikën.

“Ne si pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e kësaj jave kemi zgjedhur të fokusohemi tek edukimi i të rinjve për të mënjanuar përdorimin e gabuar të termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare. Motoja jonë për këtë vit është “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”

Përmes orëve të hapura mësimore, vizitave në Muzeun e Bankës së Shqipërisë e konkurseve, nxënësit e të gjitha grupmoshave përgjatë gjithë javës së parasë morën leksione si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura e të vendosin bazat për të ardhmen e tyre. Evente që ndodhin në të gjitha shtetet e Europës po i ndjek dhe Banka e Shqipërisë. I tillë ishte dhe kuic me 200 nxënës nga të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Ata u ndanë në 149 skuadra me nga dy persona dhe testuan njohuritë e tyre financiare përmes pyetjesh nga më të thjeshtat e deri më të komplikuarat. Nxënësit duhet të zgjidhnin formulat për probleme me pagesën e normave të interesit të kredisë apo zbatimin e mënyrës së taksimit.  Më shumë se gjysma e tyre iu përgjigjen saktë të gjitha pyetjeve. Fitoren e përcaktoi koha e dhënies së përgjigjeve.

Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë fitoi vendin e parë dhe të tretë, ndërsa të dytët u renditën nxënësit e shkollës “Sotir Gura” në Korçë. Fituesit  e vendit të parë do të përfaqësojnë Shqipërinë në muajin Maj, në konkursin që do të zhvillohet mes të gjitha shteteve të Europës në Bruksel. Ndërsa vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zgjodhi ta japë mesazhin e tij në një leksion të hapur në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kreu i Bankës Qendrore njohu studentët me mënyrën sesi Banka e Shqipërisë krahas objektivit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve i ka dhënë përparësi dhe objektivave që lidhen me stabilitetin financiar.

“Stabiliteti i sektorit bankar mbetet themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Paralelisht, janë përmirësuar edhe proceset e brendshme dhe ndërinstitucionale, që vendimmarrja finale e institucionit të reflektojë në mënyrë të përshtatshme këndvështrimet monetare dhe financiare. Me këto ndryshime, në zbatim të përgjegjësive ligjore, Banka e Shqipërisë i përgjigjet më mirë sfidave të kohës dhe vijon pandërprerë procesin e modernizimit të saj”. 

Ky është viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e këtij kremtimi, duke synuar të ofrojnë një program sa më interesant e tërheqës për përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh në aktivitetet edukuese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!