Shqipëria U-19 për femra ka zhvilluar këtë të enjte seancën zyrtare stërvitore në prag të ndeshjes me Qipron ditën e nesërme. Kjo sfidë, e vlefshme për kualifikueset e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2022 do të zhvillohet në kompleksin “Arslan Zeki Demirci Spor” në Turqi, në ora 13:00 me orën lokale.
Skuadra ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore, teksa trajneri Krepi ka pasur mundësinë të shohë skuadrën dhe gjendjen e vajzave dhe ku përqëndrimi kryesor i teknikut kuqezi ka qenë në përmirësimin e vendosjes teknike si dhe ushtrimet taktike. Veçmas janë stërvitur ditën e sotme sërish Denada Avullija dhe Mery Kalaja, të cilat kanë pësuar një dëmtim në kavilje, ndërsa me ekipin është stërvitur Aglia Iliadhi.
Atmosfera në kampin kuqezi është mjaft e mirë, teksa fokusi kryesor i vajzave është vetëm fitorja ditën e nesërme ndaj Qipros, që është edhe ndeshja e dytë, ndërsa sfida e tretë do të zhvillohet ditën e hënë ndaj Turqisë. /f.a/abcnews.al