Irani mund ta mësojë Rusinë, se si të zvogëlojë presionin e Perëndimit mbi luftën në Ukrainë

schedule12:12 - 7 Prill, 2022

schedule 12:12 - 7 Prill, 2022

Nga Mark Dubowitz & Matthew Cvajg “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Burimi më i rëndësishëm që mund të ndajë Teherani me Moskën është ekspertiza në lidhje me shmangien e sanksioneve perëndimore. Thuhet se regjimi klerikal i Iranit po diskuton me Kremlinin për të punuar së bashku për të kapërcyer kufizimet me të cilat përballen të dyja vendet në skenën ndërkombëtare.

Nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj duan që ta kufizojnë këtë lloj bashkëpunimi, ata duhet të mësojnë nga gabimet që kanë bërë gjatë zbatimit të sanksioneve për ta penguar Iranin të ndërtojë armët e tij bërthamore. Teknikat e Iranit mbi shmangien e sanksioneve janë të sofistikuara dhe gjithëpërfshirëse.

WSJ raportoi muajin e kaluar se Teherani ka zhvilluar një “sistem bankar dhe financiar klandestin, për të kanalizuar dhjetëra miliarda dollarë në tregtinë vjetore të ndaluar që zhvillon, duke shmangur sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja”.

Teherani mund t’i mësojë Moskës se si të kopjojë këtë arkitekturë financiare të paligjshme. Ose regjimi fondamentalist mund të shërbejë si ndërmjetës i Kremlinit, duke përfituar një pjesë të fitimeve nga tregtia e fshehtë që ai do të lehtësojë në emër të Rusisë.

Kombinimi i ekspertizës ruse dhe iraniane në aktivitetet financiare të paligjshme, mund të prodhojë rrjetin më të sofistikuar dhe më të gjerë në botë në lidhje me shmangien e sanksioneve të vendosura. Në rast se sanksionet perëndimore do të humbasin efektin e tyre dëmtues, do të zvogëlohej edhe presioni ndaj Moskës për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës por edhe kërcënimeve të tjera.

Leksioni i parë nga përvoja me Iranin, është se institucionet kryesore financiare të qeverisë, si Banka Qendrore e Iranit (CBI), luajnë një rol kryesor në menaxhimin e aktiviteteve të paligjshme, duke përfshirë transferimin e fondeve për Hamasin, Hezbollahun dhe organizatat e tjera terroriste.

Kur ishte Sekretare e Shtetit, Condoleezza Rice e cilësoi Iranin si “bankën qendrore të terrorizmit”. Si pjesë e negociatave bërthamore që po zhvillohen aktualisht në Vjenë, administrata e Joe Biden ka të ngjarë të bjerë dakord t`i heqë sanksionet ndaj CBI-së dhe subjekteve të tjera që mbështesin terroristët, nëse Teherani do të pranojë disa kufizime të përkohshme mbi programin e tij bërthamor.

Nëse SHBA-ja bie dakord me këto kushte, do të sabotonte angazhimin e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken ndaj Kongresit Amerikan për të mbajtur në fuqi sanksionet ndaj Iranit për shkak të sponsorizimit të terrorizimit, dhe do të zbehte përpjekjet e tij për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresioni ndaj Ukrainës.

CBI ka fituar tashmë disa lehtësi si pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Aktivitetet e saj të paligjshme vazhduan, por administrata Obama nuk e ndëshkoi në mënyrë që Teherani të mos tërhiqej nga marrëveshja bërthamore.

Por në shtatorin e vitit 2019, administrata Trump e quajti Bankën Qendrore të Iranit një organizatë terroriste sipas Urdhrit Ekzekutiv 13224 për shkak të dhënies së “miliarda dollarëve për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike. . . Forcën e saj Kuds. . . dhe partneren e saj në Liban, Hizbollah”.

Nëse administrata Biden dëshiron të heqë sanksionet ndaj CBI-së, ajo duhet së pari të provojë se banka e ka ndalur financimin e terroristëve dhe menaxhimin e përpjekjeve të Iranit për të shmangur sanksionet.

Një lekskion i dytë është se financimi i terrorizmit nga CBI nuk ishte i pavarur. Ai infektoi të gjithë sistemin financiar të Iranit. Në vitin 2007, Rrjeti Kundër Krimeve Financiare në Departamentit amerikan të Thesarit, FinCEN, i paralajmëroi bankat amerikane për lidhjet e sistemit financiar iranian me aktivitetet terroriste.

Në nëntor 2011, FinCEN e cilësoi Iranin si një juridiksion kryesor për pastrimin e parave sipas Seksionit 311 të Aktit Patriotik të SHBA-së. Në fakt, FinCEN po paralajmëronte se kërcënimi i financimit të paligjshëm kishte përshkuar të gjithë ekonominë e Iranit, ndaj bankat e huaja që bëjnë biznes në vend duhet të merrnin masa paraprake.

Këshilla nuk ishte e detyrueshme, por bankat e mëdha ndërkombëtare e ndoqën atë. Ndërsa marrëveshja bërthamore e 2015 mbeti në fuqi, administrata Obama hezitoi të finalizonte përcaktimin e Seksionit 311 të FinCEN, që do ta kishte bërë atë të detyrueshëm.

Efekti i paqëllimshëm i marrëveshjes bërthamore, ishte mbrojtja e rrjeteve të paligjshme financiare të Iranit. Në vitin 2019, më shumë se një vit pasi administrata Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, FinCEN e shpalli Iranin një juridiksion kryesor për pastrimin e parave dhe vendosi kufizime detyruese për bankat amerikane.

Një leksion i tretë nga përballja me Iranin, është se SHBA duhet të adresojë praktikat e paligjshme financiare ruse (ose ruso-iraniane) përmes Task Forcës së Veprimit Financiar. FATF është një organ ndërqeveritar prej 39 anëtarësh që vendos standardet ndërkombëtare financiare. FATF e përmendi Iranin si një kërcënim për sistemin financiar global në vitin 2007, duke vënë në dukje mungesën e mekanizmave të tij “kundër pastrimit të parave, dhe luftës ndaj financimit të terrorizmit”.

Në vitin 2008 grupi rekomandoi që anëtarët e tij të kishin një kujdes përballë institucioneve financiare iraniane, duke e vendosur kështu Iranin në “listën gri”. Irani dështoi të korrigjonte veten e tij dhe vitin e ardhshëm FATF e zhvendosi këtë vend në “listën e zezë”.

Nëse një juridiksion është në “listën e zezë’, juridiksioneve të tjera u kërkohet të zbatojnë masat e kujdesit të duhur për të mbrojtur bankat e tyre kundër rrezikut për sistemin financiar ndërkombëtar të paraqitur nga juridiksioni i listës së zezë. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 i dha një tjetër frymëmarrje Teheranit.

Administrata Obama dha mbështetjen e saj për një marrëveshje që do të pezullonte kundërmasat e FATF kundër Iranit për 2 vjet, gjatë të cilave Teherani do të përmbushte standardet e grupit. Por ky vend nuk bëri kurrë asnjë përpjekje serioze për të adresuar shqetësimet mbi pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Por vetëm në vitin 2020, anëtarët e FATF ranë dakord të rivendosnin kundërmasat. Dhe mësimi për Uashingtonin është se nuk duhet të bëjë asnjëherë lëshime, bazuar në shpresën se shtetet autokratike do të përmirësojnë sjelljen e tyre.

Në vend se të mësojë nga e kaluara, administrata Biden duket e pritur ta përsërisë atë.

Ndërsa shpall si qëllimi të sajin izolimin e Rusisë, thuhet se administrata e tij po mbështetet gjithashtu tek Moska për ta nxitur Teheranin të bjerë dakord mbi një marrëveshje të rishikuar mbi programin bërthamor.

Rusia do të bëhej garante e marrëveshjes, përgjegjëse për marrjen e rezervave të uraniumit të pasuruar që i nevojiten Iranit për të prodhuar një bombë bërthamore. Për Iranin, kushtet e marrëveshjes së propozuar janë më të favorshme sesa ato origjinale.

Por tani ekziston rreziku i shtuar që Uashingtoni t’i japë Moskës një litar shpëtimi financiar, për të siguruar vazhdimin e marrëveshjes në fjalë. Duke pasur parasysh qëndrimin e administratës Biden, i takon Kongresit që të ndërhyjë në mënyrë legjislative për të mbrojtur SHBA-në dhe sistemet financiare ndërkombëtare.

Kur marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ishte ende në fuqi, Uashingtoni hezitoi të përballej me Teheranin rreth provokimeve të tij, nga financimi i terrorizmit tek sulmi ndaj trupave dhe aleatëve amerikanë, dhe deri tek pengimi i punës së inspektorëve bërthamorë.

Tani Vladimir Putin dhe Ali Khamenei presin të shohin nëse një marrëveshje e rishikuar bërthamore, do t’u japë atyre licencën për të lehtësuar shmangien e sanksioneve nga Rusia dhe vazhdimin e financimit të terrorizmit nga Irani. /abcnews.al

Shënim: Mark Dubowitz, është shef ekzekutiv i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive. Mark Zweig, anëtar i këtij fondacioni, ka shërbyer në poste të larta në Departamentin e Shtetit dhe në Komitetin e Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!