“Të dashur miq! Pasi e kam menduar gjatë dhe duke u konsultuar edhe me familjen dhe njerëzit afër meje, kam vendosur që ndeshja e kësaj fundjave kundër Wacker Innsbruck të jetë edhe ndeshja ime e fundit e karrierës time si futbollist profesionist”.
Kështu e nis postimin e tij në rrjetin social Facebook, bomberi shkodran Hamdi Salihi duke bërë të ditur në këtë mënyrë që pas ndeshjes së kësaj fundjave do të varë këpucët në gozhdë.
Salihi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij gjatë gjithë këtyre tifozët dhe familjarët. Gjithashtu ish-sulmuesi i Vllaznisë, Tiranës dhe Skënderbeut nënvizoi se e shikon këtë moment si një fillim të ri, duke nënkuptuar që shumë shpejt mund ta shohim si trajner.
“Më shumë se sa t’ju informoj do doja me këtë mesazh t’ju falenderoja dhe t’ju thoja që jam shumë i lumtur që në këtë rrugëtim të mrekullueshëm ju njoha dhe kalova momente të paharrueshme për mua, të gjithë lojtarëve me të cilët kam luajtur, shokë ekipi apo kundërshtarë, trajnerë, presidentë dhe drejtues klubi, tifozë të ekipeve ku kam luajtur dhe atyre kundërshtarë. Një falenderim të veçantë për familjen time, të cilët kanë sakrifikuar shumë duke qenë gjithmonë pranë meje, prindërit e mi, të cilët kanë qenë mbështetja ime më e madhe dhe gjithashtu vëllezërit e mi, të cilët kanë qenë kritikët dhe mësuesit e mi më të mirë në gjithë këtë rrugë. Duke mos e menduar veten asnjëherë larg futbollit edhe në të ardhmen është e natyrshme që edhe ky vendim i imi nuk ka ardhur sot për nesër. Gjatë viteve të fundit krahas futbollit të luajtur kam lexuar, studiuar dhe mbajtur shënime që besoj se do jenë shumë të vleshme për të ardhmen time në futboll. Prandaj nga që fjala FUND më duket shumë e rëndë, dua që këtë moment ta shikoj si një FILLIM të ri të një karriere që shpresoj të më dhurojë të njëjtat emocione me ata që kam kaluar deri tani duke luajtur në fushë”, shkruan Salihi.
Ish-sulmuesi i kombëtares së futbollit ka fituar dy herë Superligën shqiptare, dy herë Superkupën shqiptare dhe një herë Kupën shqiptare. Salihi debutoi me kombëtaren në moshën 22-vjeçare, kur në drejtimin e skuadrës ishte gjermani Hans Peter Briegel.
Ai ka luajtur gjithsej 50 ndeshje dhe ka shënuar 11 gola. Salihi ka luajtur gjithashtu për skuadrën austriake të Rapid Wien. Për momentin, ai është lojtar i SC Wiener Neustadt. /abcnews.al