Nga Walter C.Clemens JR “The Hill”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Teksa pushtimi ka hyrë tashmë në muajin e dytë, forcat ruse kanë ngecur në shumë fronte, dhe madje po e humbasin terrenin që kishim fituar më herët për shkak të kundërsulmeve nga ushtria ukrainase, përfshirë edhe rrethinat e Kievit. Por çfarë lloj zgjidhje e negociuar e konfliktit në Ukrainë, mund të jetë e pranueshme për Kievin dhe Moskën?
Kievi dëshiron që të ruajë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Nga ana tjetër Moska ka nevojë për një rezultat që t’i tregojë publikut se ndërhyrja e saj nuk ishte e kotë. Të gjitha palët duhet të marrin në konsideratë marrëveshjen që çliroi Austrinë në vitin 1955, dhe e ndihmoi atë të bëhej një demokraci e begatë. Asnjë palë nuk u ndje e humbur në atë marrëveshje; dhe të gjithë mund të konsiderohen fitues.
Por zgjidhja “austriake”, ka nevojë ndoshta edhe për një ndërthurje me modelin “zviceran”. Disa analistë e konsideruan dikur Austrinë si një tjetër viktimë të agresionit të Adolf Hitlerit. Por duke filluar nga viti 1945, Austria – pak a shumë si Gjermania – u pushtua nga katër fuqi: Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca.
Secila prej tyre qeveriste një pjesë të Austrisë. Siç tregohet edhe në filmin zviceran të vitit 1951 “Katër në një xhip” (Die Vier im Jeep), ata bashkë-administronin kryeqytetin Vjenë.
Si një student në Vjenë në vitet 1952-1953, unë kam pasur disa përballje të rrezikshme me ushtarët sovjetikë, zakonisht të bazuara tek keqkuptimet e ndërsjellta.
Në atë kohë, jeta për austriakët ishte e vështirë. Duke jetuar si një student austriak, unë humba 20 kg gjatë atij viti. Në skenën e fundit të një filmi të vitit 1952 “Die Fledermaus”, rojtari i burgut nuk gjen dot një mjet për të bërë dritë dhe ankohet në dialektin vjenez “E mjera Austri, ata të kanë marrë të gjithë vajgurin”, një koment jo shumë elegant për pushtimin sovjetik.
Traktati i Shtetit Austriak i nënshkruar më 15 maj 1955, e rivendosi pavarësinë e vendit në statusin e para vitit 1938. Ajo shënoi tërheqjen e vetme gjatë Luftës së Ftohtë të Bashkimit Sovjetik nga një territor që kishte pushtuar. Katër fuqitë pushtuese e njohën pavarësinë e vendit, por ndaluan një tjetër “Anschluss” (Bashkim) me Gjermaninë.
Të drejtat e pakicave sllovene dhe kroate ishin të garantuara. Kushtetuta e Austrisë pohonte se vendi do të ishte përgjithmonë neutral, dhe se nuk do të lejonte asnjë bazë të huaj në territorin e tij. Por pse Kremlini hoqi dorë nga ky model?
Regjimi i Khrushchev donte që ta hidhte poshtë trashëgiminë e Stalinit, që vdiq në vitin 1953. Po ashtu Moska donte garanci se Austria nuk do të anëtarësohej kurrë në NATO, siç bëri Gjermania Perëndimore më 5 maj 1955. Për të krijuar një lloj barazie, më 14 maj 1955, Kremlini krijoi aleancën e vet ushtarake, Organizatën e Traktatit të Varshavës, me 7 partnerë të Evropës Lindore.
Katër pushtuesit u larguan nga Austria dhe vendi lulëzoi. Opera Shtetërore u rihap në nëntor 1955, 10 vjet pasi ishte shkatërruar, me shfaqjen e operës “Fidelio” të Beethoven. Akademia Diplomatike e Austrisë, e themeluar nën sundimin e Perandoreshës Maria Tereza, pranonte studentë nga Bota e Tretë, ashtu si edhe nga Lindja dhe Perëndimi.
Austria u anëtarësua në Kombet e Bashkuara, por jo në NATO. Gjithsesi në vitet 1990, ajo iu bashkua Partneritetit për Paqe të NATO-s, ashtu si Rusia dhe Ukraina, së bashku me vendet e tjera neutrale në Evropë. Në vitin 1995, Austria u bë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa adoptoi monedhën e përbashkët, euron, në vitin 2002.
Kremlini nuk do të tundohet së shpejti të përsërisë dështimin e tij të këtij viti. Por një zgjidhje austriake për Ukrainën, do ta linte vendin të pambrojtur ndaj një pushtimi tjetër rus. Ndërsa Zvicra, Suedia dhe Finlanda neutrale kanë mbajtur një numër të konsiderueshëm forcash mbrojtëse, Austria jo. Ushtria e saj ka qenë e armatosur shumë lehtë. Kremlini mund ta kishte kërcënuar, por nuk e ka kërcënuar seriozisht Suedinë apo Finlandën neutrale, edhe pse për vite me radhë ato kanë bashkëpunuar në heshtje me Norvegjinë dhe anëtarët e tjerë të NATO-s.
Interesi i tyre i kohëve të fundit për t’u bashkuar me aleancën perëndimore mund të zbehet nëse mund të rivendoset paqja në Ukrainë. Duke pasur parasysh përvojat e Ukrainës, ndoshta ky vend duhet të përshtatë modelin zviceran të një vendi neutral por të armatosur, një politikë që daton 5 shekuj më parë, dhe që është e njohur ndërkombëtarisht që nga Kongresi i Vjenës në vitin 1815.
Vendi nuk ka qenë në një gjendje lufte që nga viti 1815, dhe nuk ishte pjesë e OKB-së deri në vitin 2002, por është përfshirë shpesh në proceset e ndërtimit të paqes në mbarë botën. Shumica e ushtarëve të Zvicrës stërviten për periudha të shkurtra, por i mbajnë armët në shtëpi gati për mobilizim.
Avionët luftarakë të prodhimit amerikan fluturojnë mbi Alpe dhe mund të strehohen në bunkerë malorë. Pasi u stërvita në male me vullnetarë urbanë nga Zyrihu, kam parë vetë moralin e lartë të milicisë zvicerane dhe mbështetjen që ata marrin kur kalojnë nëpër qytetet e vogla.
Një model austro-zviceran mund të shihet në terma pozitivë. Si Austria po ashtu edhe Zvicra kanë përparuar, dhe asnjëra nuk është kërcënuar seriozisht nga forcat e jashtme. E njëjta gjë vlen edhe për Suedinë dhe Finlandën neutrale, edhe pse secila bashkëpunon me NATO-n.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi së fundmi se nuk ka më dëshirë për anëtarësimin e vendit të tij në NATO. Austria bëri disa lëshime për të fituar tërheqjen e trupave sovjetike në vitin 1955. A do të duhet që edhe Ukraina të heqë dorë nga diçka për ta bindur Rusinë të tërhiqet?
Po ashtu Kievi mund t’i ofrojë autonomi më të madhe rusëve etnikë në Donbas. Mund të jetë i nevojshëm edhe një kompromis për portin e Sevastopolit. Por këto janë probleme relativisht të thjeshta. Një sfidë shumë më e madhe do të ishte kompensimi për humbjet njerëzore dhe materiale të shkaktuara nga pushtimi rus.
Shumica e rusëve nuk e dinë apo nuk e besojnë se “operacioni i tyre special ushtarak” ishte i paprovokuar dhe i pajustifikuar, se ai përfshinte në fakt edhe shumë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. A duhet të mbetet në pushtet nxitësi i kësaj lufte, presidenti Vladimir Putin? A duhet gjykuar ai për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare?
Pas Luftës së Parë Botërore, fitimtarët i vendosën Berlinit klauzolën e “fajësisë për luftën”, dhe e detyruan Gjermaninë t’u paguante dëmshpërblime të mëdha. Ato kushte të ashpra ndihmuan në ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit në vitet 1930. Sesi të shmanget një rezultat analog me Rusinë e sotme, ky është një rebus. Duhet ende të negociohen shumë detaje të një zgjidhje mbi luftën në Ukrainë, por një pikënisje e dobishme do të ishte rënia dakord për një zgjidhje sipas formulës austro-zvicerane. /abcnews.al
Shënim:Walter C.Clemens, bashkëpunëtor me Qendrën Dejvis të Universitetit të Harvardit për Studimet Ruse dhe Euroaziatike, dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit.